E mbani mend grupin ‘Spirit Voice’? Ndarja e vajzave dhe premtimi që po i mban ‘peng’

Dorina Tiko, njëra prej vajzave të grupit të suksesshëm “Spirit Voice” tregoi këtë të martë në emisionin “Rudina” si u krijua një prej grupeve më të dashur të fundviteve 1990. Ajo tha se grupi ishte ndarë me premtimin se do të riktheheshin sërish bashkë, por për këtë duhej të krijonin diçka speciale.

Rudina: Po pjesë e grupit “Spirit Voice” si u bëre, e mban mend? Si ka ndodhur. Dorina Tiko: Kam shkuar faktikisht tek “Studio Jess”, ka qenë atëherë. Hapen audicione se deshën të krijonin një grup vajzash. Dhe mësuesja e kantos, Alma Strazimiri më ka bërë që të shkoja me zor faktikisht, se thoshte do të shkosh, e ke zërin, ndërsa unë i thosha ‘jo nuk më marrin, bëhet kështu, bëhet ashtu’, isha në vit të parë në Lice. Dhe kam shkuar bashkë me mësuesen e kantos në studio dhe kam bërë audicionin dhe u futa në grup.

Rudina: E ishte një grup shumë interesant, ju me vajzat e “Spirit Voice”, njiheshit me njëra tjetrën? Dorina Tiko: Jo, nuk jemi njohur. Me Angjelinën… se grupi atëherë ka qenë 4 ka qenë edhe Larisa dhe Angjelina. Me Angjelinën kemi pas shkuar në kishë bashkë, njiheshim, ndërsa me Sonin dhe me Larisën, ose me Brikelin nuk njiheshim. Po ashtu edhe me Elian, pasi ikën gocat kemi bërë audicionin dhe morëm Elian.

Rudina: Grupi pse u nda më pas, se e nisët shumë bukur, krijuat fansa shumë, grupi pse u nda? Dorina Tiko: Nuk është se jemi ndarë, jeta vazhdoi, ne ishim rritur. Unë erdha në Amerikë tek bashkëshorti im dhe vazhdova jetën këtu, Elia shkoi në Francë për shkollën, me premtimin që “Spirit Voice” do rikthehet. Ne gjithmonë themi që do nxjerrim diçka, por mundohemi të gjejmë dicka të vecantë ngaqë ka shumë kohë që Spirit Voice nuk ka ardhur me dicka të re, duam të jetë dicka shumë speciale. /tvklan