“Laurën e kam njohur një mbrëmje pranë detit. Shkova në shtëpi për të fjetur në orët e para të mëngjesit, duhet të ishte ora dy ose tre. Atje gjej Massimo Rivën me tre vajza bjonde, njëra më e bukur se tjetra. Njëra prej tyre sapo më pa, u çmend: “Ti je Vasco Rossi”, – më tha e gëzuar.
Laura, e cila nuk më njihte aspak dhe ishte e dehur, nisi të më fyente. “Kush kujton se je ti?”, – më pyeti gjithë inat. Shpresa ime se nata do të ishte argëtuese, u shua. Mendova që ato ishin të gjitha të çmendura dhe shkova të flija. Një ditë tjetër, i thashë Rivës për t’i ftuar tri bjondet për një darkë gjatë atyre pushimeve.
Atë mbrëmje, ajo u ul përballë meje dhe më shihte drejt e në sy. Në një moment, i kërkova të më kalonte shishen e verës dhe ajo u ngrit, mori shishen e verës dhe kaloi nga ana ime e tavolinës. Mbushi gotën time dhe me qetësi, shkoi në vendin e saj. U habita nga veprimi i saj sikur asgjë të mos kishte ndodhur disa netë më parë. Ndoshta dhe nuk mbante mend, ngaqë ishte e pirë, por kështu nisi marrëdhënia jonë.
Nisi një dashuri e fortë, edhe pse në jetët tona ndodhën shumë gjëra. Një herë e dëbova nga shtëpia dhe ajo nuk iku. Ndenji tek porta deri në orën shtatë të mëngjesit, e ulur në valixhen e saj. Në ato momente, mendova se ishte më mirë ta fusja brenda, përndryshe do të më arrestonte policia.
Një herë tjetër, e telefonova dhe i kërkova të ndaheshim. Ajo ma mbylli telefonin dhe erdhi poshtë shtëpisë sime. Nuk i ra ziles. Mendova se do të largohej pas pak orësh, por ajo ndenji gjithë natën aty. Mesazhi që më dha ishte tepër i fortë. Ajo ishte gruaja ime, ishte diçka e imja, familja ime dhe se prej saj, nuk mund t’ia mbathja dot lehtë”./bota.al/