Dyshimet për COVID-19 te Vllaznia, flet kapiteni Gurishta: Kam vetëm temperature

Erdenis Gurishta është një nga lojtarët e Vllaznisë që dyshohet se mund të jetë i prekur nga “COVID-19”. Kapiteni i kuqebluve vazhdon të jetë i vetizoluar në shtëpi dhe po merr që të gjitha mjekimet që i janë sugjeruar. Edhe pse ndihet në përgjithësi mirë dhe pa simptoma të rënda, temperatura vazhdon të mos i ndahet dhe është pikërisht kjo që e shqetëson 25-vjeçarin. Prej të hënës, ai i është nënshtruar analizave dhe mbetet në pritje të përgjigjes.

Në një prononcim të dhënë enkas për “Panorama Sport” mbrojtësi na tregon shenjat që po e shoqërojnë gjatë këtyre ditëve dhe lutet që të dalë negativ dhe t’i rikthehet stërvitjeve me ekipin.

“Kam patur dhe kam pak ende temperaturë, por nuk është se ndiej shqetësime të tjera. Që prej të hënës kam bërë analizat për ‘COVID-19’ dhe shpresoj që të rezultoj negativ. Gjithsesi, nuk është se ndihem keq dhe sidomos në aspektin psikologjik”, është shprehur shkurtimisht Erdenis Gurishta.

Lajme më shumë se të mira vijnë për Herald Markun. Ai nuk është i infektuar nga Koronavirusi, ndonëse mungoi në stërvitjen e dy ditëve më parë. Mesfushori nuk ishte i pranishëm për arsye personale, që nuk kanë të bëjnë me “COVID-19”. Dhe për ta dëshmuar këtë, mjafton rikthimi i tij në fushë. Ditën e djeshme 24-vjeçari është vënë nën urdhrat e Tomas Brdariç, duke konfirmuar se nuk ka vend për panik dhe gjendja e tij është më shumë se e mirë.

Për lojtarin e tretë që dyshohet se është i infektuar, ende nuk ka ndonjë të dhënë. Nuk dihet nëse mungesa e tij ka lidhje me këtë çështje apo jo. E megjithatë, është fakt se as të mërkurën nuk u paraqit në stërvitje.