11 raste të reja me koronavirus janë konfirmuar pozitivë në Elbasan. Burimet gazetareske bëjnë me dije se mes të infektuarve janë edhe dy mësues të shkollës së Mesme të Përgjithshme Anastas Çakalli në njësinë administrative, Kuqan, sipas raportimit të gazetarit Aldo Kozarja për abcnews. Në rrethin e Elbasanit aktualisht janë 10 mësues, aktivë me koronavirus.
Me gjithë rastet e reja Elbasani numëron 285 raste aktivë me Covid-19, ndërsa që prej fillimit të pandemisë në këtë qark kanë humbur jetën 23 persona nga kjo sëmundje. Në 24 orët e fundit në të gjithë vendin u konfirmuan pozitivë 153 raste të reja, ndërsa u shënuan edhe 5 humbje jete. Fatmirësisht 57 qytetarë janë shëruar në 24 orët e fundit, duke e çuar në 6888 që nga fillimi i epidemisë. Ministria e Shëndetësisë përsëri këshillon të gjithë qytetraët që të respektojnë masat e të ruajnë veten e tyre dhe të personave që kanë pranë.
“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju rikujton edhe një herë për masat e thjeshta që duhet të respektojë çdo qytetar në përditshmëri: Mbani duart të pastra dhe mos e prekni fytyrën Ruani distancën në ambientet publike. Kudo kur kjo nuk është e mundur, vendosni maskë apo barrierë mbrojtëse. Shmangni grumbullimet me shume njerëz pasi është rrezik për përhapjen e infektimit nga Covid19. Një apel për bizneset, institucionet, të zbatojnë me korrektësi protokollet e sigurisë në punë, të miratuara nga autoritetet shëndetësore”, këshillon Ministria e Shëndetësisë.