Pas ultimatumit të dhënë nga Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës së tij në Bashkinë e Vlorës, të gjithë drejtuesit e drejtorive vendore të qytetit dorëzuan dorëheqjen deri në orën 16:00 të ditës së djeshme. Ky vendim erdhi pas një mbledhjeje urgjente të thirrur nga Kryebashkiaku Ermal Dredha, menjëherë pas largimit të Ramës nga Vlora.
Kryeministri Rama, i cili zhvilloi një vizitë të papritur në bashkinë e qytetit, theksoi nevojën për një reformim të thellë dhe analizë të performancës së administratës vendore. Ai e ka shoqëruar këtë ultimatum me ngritjen e dy grupeve të punës për të vlerësuar dhe reformuar nivelin vendor të qeverisjes.
Grupi i parë, i përbërë nga Bledi Çuçi, Vullnet Sinaj dhe Pirro Vengu, do të shqyrtojë dhe vlerësojë performancën e ish-drejtuesve të drejtorive vendore, duke e vendosur çdo kandidat të ri në një periudhë prove 3-mujore për të monitoruar aftësinë dhe angazhimin e tyre.
Ndërkohë, grupi i dytë, i përbërë nga Brisilda Çakerri, Zamira Sinaj dhe Evis Alushi, do të shqyrtojë dhe propozoi kandidatët për pozitat e drejtorëve të rinj të Bashkisë. Ky proces i emërimit të drejtorëve të rinj pritet të përfundojë deri më 15 korrik, me emrat që do të dalin nga struktura e PS në Vlorë.