Dokumentet që nxjerrin blof Luçiano Boçin, ALBTEK u sekuestrua që në 15 Dhjetor 2021

Pak javë më parë, dy opozitarët Edmond Spaho dhe Petrit Vasili tentuan të peshkojnë opinionin publik me pretendimin se kishin zbuluar një super skandal. Duke keqinterpretuar qëllimisht aktet juridike ata deklaruan se kompania koncesionare që ndërtoi inceneratorin e Elbasanit kishte marrë nga Ministria e Energjisë një kontratë koncesionare të dytë që i siguronte asaj të drejtat për të prodhuar e tregtuar energji nga djegia e mbetjeve për 25 vite dhe jo vetëm 7 vjet sa ishte jetëgjatësia e koncesionit. Pra thënë troç, nënkuptonin se edhe kur shteti të merrte në dorëzim inceneratorin në vitin e 8, privati do shiste energjinë dhe do arkëtonte të ardhurat. Një idiotësi kjo që u hodh poshtë me fakte të dukshme, fakte që i ka dhe prokuroria që po heton çështjen e inceneratorëve, e për të cilat Spaho e Vasili nuk guxuan të flasim më.

U bë e qartë se Ministria e Energjisë dhe Industrisë nuk ka lëshuar koncesion të dytë kompanisë së inceneratorit. Në zbatim të kontratës që kompania kishte në fuqi me Ministrinë e Mjedisit, Ministria e Energjisë kishte detyrimin ligjor për të autorizuar dhe hapur rrugën e licensimit të shoqërisë “ALBTEK ENERGY” shpk. për prodhimin dhe tregtimin e energjisë. Në përfundim të kontratës koncesionare, pra në përfundim të periudhës 7 vjeçare të koncesionit të inceneratorit të Elbasanit, kjo vepër transferohet në administrim të shtatë bashkive të Qarkut të Elbasanit. Këto të fundit marrin në pronësi veprën dhe fitojnë automatikisht edhe të drejtat e fituara nga kompania në raport me asetin.

Por ditën e sotme, u shfaq një tjetër opozitar i zgjuar nga gjumi letargjik që pasoi humbjen katastrofale në garën për Bashkinë e Elbasanit. Dikush ka dashur të tallet me Luçiano Boçin e aq më keq që ky i fundit nuk ka ndjekur as kolegët e tij në tentativat e mëparshme të dështuara në këtë çështje. Boçi deklaroi se “ALBTEK rezulton të ketë një fitim për 2022 rreth 860 milion lekë, megjithëse pronarja është e dënuar për aferën e inceneratorëve dhe kompania është në sekuestro. ALBTEK zotëron për 25 vite impiantin e prodhimit të energjisë brenda inceneratorit megjithëse të akuzuarit përfshi Ramën dhe sot e kësaj dite deklarojnë pa asnjë përgjegjshmëri që impiantin e prodhimit të energjisë e ka Bashkia Elbasan”.

Pra, i njëjti Luçiano që në muajin Maj të këtij viti protestonte në dyert e inceneratorit duke premtuar se do ta shembte atë pasi nuk kishte punuar asnjë ditë qëkur ishte ndërtuar, sot del dhe thotë që jo vetëm ka punuar nga viti 2015 deri në 2021 kur përfundoi periudha e koncesionit por edhe gjatë vitit 2022. E para, cilin Luçiano të besojmë? Atë që thotë nuk ka punuar apo atë që thotë ka punuar!!??

E dyta, sikurse mund ta shohë kushdo i interesuar, kontrata koncesionare e thotë qartazi se ALBTEK Energy është një kompani e krijuar vetëm për të menaxhuar veprimtarinë e inceneratorit të Elbasanit dhe asnjë aktivitet tjetër. Po sipas kontratës, me përfundimin e periudhës së koncesionit 7 vjeçar, kompania bashkë me asetet fizike dhe të gjitha të drejtat e detyrimet e saja i kalon shtetit dhe menaxhohet prej një kompanie të re e cila krijohet me aksionerë gjitha bashkitë e Qarkut Elbasan.

Ku qëndron gënjeshtra e profesorit të zgjuar nga gjumi?! Që nga 15 Dhjetori 2021, pra 16 ditë pa përfunduar kontrata koncesionare, inceneratori i Elbasanit, kompania ALBTEK Energy bashkë me të gjitha të drejtat e saj janë vënë nën sekuestro nga SPAK në kuadër të hetimeve që po bëheshin. Nëse koncesionari sipas kontratës humbte të drejtat mbi kompaninë dhe asetet e saja në 31 Dhjetor 2021, në realitet i humbi ato edhe 16 dite më herët.

Nga ai moment, administrator i ALBTEK, aseteve dhe të drejtave është shtetasi Arjan Baçi për llogari të Agjencisë së Administrimit të Aseteve të Sekuestruara dhe Konfiskuara. Pra flasim për fundin e vitit 2021. Është Baçi që ka çuar në QKB bilancet ekonomike të vitit 2022 për të cilat flet Luçiano Boçi. Në marrëveshje me administratorin shtetëror, 7 bashkitë e Qarkut të Elbasanit kanë krijuar shoqërinë e tyre ECO-ELB sh.a. përmes të cilës bëjnë operimin e inceneratorit dhe trajtimin e mbetjeve të Bashkive Elbasan, Librazhd, Prrenjas, Belsh, Gramsh, Cërrik e Peqin. Çdo e ardhur e deklaruar pas 31 Dhjetorit 2021 i përkeq shtetit dhe asnjë cent nuk shkon për subjektin privat që e operonte inceneratorin për 7 vitet e koncesionit.

Nastradin Boçi duhet të kuptojë se inceneratori ka për objekt incenerimin e mbetjeve dhe jo riciklimin e figurave të djegura politike. Për të mos u bërë qesharak dhe më tej, mirë do ishte që të mos përdorej nga ata që e gënjejnë sikur kanë zbuluar skandale. I vetmi skandal në këtë rast është një profesor që mashtron nga dashakeqësia apo nga injoranca juridike! Këtë dilemë duhet ta zgjidhë ai vet!