Një fabrikë është përfshirë nga flakët këtë mëngjes në Elbasan.
Në fabrikën që ndodhet pranë ish-kombinatit metalurgjik, prodhohej sfungjer. Punonjësit janë evakuuar dhe fatmirësisht, askush nuk është lënduar.
Ndërkohë, nuk dihen dëmet e shkaktuara si pasojë e zjarrit, që ka shkaktuar dhe ndotje mjedisore, teksa shtëllunga të mëdha tymi kanë mbuluar zonën.
Në vendngjarje, po punojnë 4 mjete dhe dhjetëra efektivë zjarrfikës për të vënë nën kontroll flakët.
Njoftimi i policise:
Rreth orës 10:20, në fshatin Katund i Ri, Elbasan, ka rënë zjarr në një subjekt privat (fabrikë për prodhimin e sfungjerit), në pronësi të shtetasit F. S., 53 vjeç., banues në lagjen “Dyli Haxhire”, Elbasan. Si pasojë, janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Paraprakisht, dyshohet se zjarri ka rënë si pasojë e një defekti në sistemin elektrik të objektit të këtij biznesi.
Shërbimet zjarrfikëse vijojnë punën për shuarjen e zjarrit.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje, me qëllim zbardhjen e shkakut të rënies së zjarrit.