Numri i rasteve me diabet në vendin tonë duket se ka marrë shifra alarmante. Në Elbasan në 30 vitet e fundit, numri i rasteve të reja është dhjetëfishuar. Mjekët thonë se shkak për rritjen e të prekurve është mënyra e jetesës që lidhet me kequshqyerjen dhe mungesën e aktivitetit fizik.
Në Elbasan 30 vite më parë, kishte rreth 40 raste të reja të diabietit në vit.
Por 3 dekada më pas, kjo shifër është dhjetëfishuar, duke shkaktuar një alarm!
Shefqet Deliallisi, Mjek Endokrinolog: “Ka një pandemi botërore të diabetit, dhe në këtë pandemi jemi të përfshirë dhe ne si shqiptarë. Nga një studim i bërë në Elbasan, para 30 viteve diabeti kishte rreth 40 raste të reja në vit, tani kemi mbi 400 raste në vit. Rritja është shumë- shumë e madhe”.
E konsideruar si “epidemia” e heshtur, diabeti vazhdon të shtojë numrin e të prekurve edhe tek moshat e reja.
Shefqet Deliallisi, Mjek Endokrinolog: “Diabeti është ndarë në Tipi 1 dhe Tipi 2. Tipi 1 është për të rinjtë, dhe Tipi 2 është për adultët mbi 40 vjeç. Por tani vihet re një rënie e kësaj moshe, pra nën 40 vjeç. Dhe kjo për shkak të mungesës së aktivitetit fizik”.
Shkaqet sipas mjekëve janë të ndryshme, por që lidhen ngushtë me ushqyerjen dhe uljen e aktiviteti fizik.
Shefqet Deliallisi, Mjek Endokrinolog: “Kjo është e lidhur me ndryshimin e stilit të jetesës. Ka ndryshuar mënyra e ushqyerjes dhe ka rënë aktiviteti fizik”.
Në vendin tonë 3 mijë deri 4 mijë raste të reja zbulohen çdo vit me diabet, ndërsa sipas studimeve në Europë 1 në 11 persona vuan nga kjo sëmundje.