Ka dështuar për të tretën herë seanca për fillimin e gjykimit për inceneratorin e Elbasanit në GJKKO.
Shkak është bërë mungesa e Jonida Zeqos, ish-anëtare e Komisionit për dhënien e koncesionit, e cila ishte nën masën e arrestit shtëpiak. Ajo nuk është gjetur në shtëpi as nga Policia e Durrësit dhe as nga oficeri i policisë gjyqësore të SPAK. Togat e zeza relatuan se Jonida Zeqo po i fshihet drejtësisë për të mos u përballur në seancën gjyqësore.
Zeqo i kishte dërguar dy e-maile gjykatës, ku i konfirmonte dijeninë për seancën e sotme dhe kërkonte të përfaqësohej nga avokati Saimir Vishaj. Këto e-maile nuk janë pranuar nga Gjykata dhe kërkesa është rrëzuar.
Prokurorët e SPAK, Klodian Braho dhe Arben Kraja theksuan në seancë se nuk mund të konsiderohen sepse e-mailet nuk verifikohen se janë dërguar nga Zeqo. Oficeri i Policisë Gjyqësore (OPGJ) kërkon që ish-anëtarja e Komisionit për dhënien e koncesionit të shpalleT në kërkim.
Gjithashtu në seancë ka munguar edhe avokati Ardian Leka i cili mbron Klodian Zoton.
Top Channel