Nga: Sokrat Hoxha
Në tentativën për të shënuar një risi në skenën politike dhe marrjen e një avantazhi në përceptimin publik përpara fushatës së ardhshme për zgjedhjet lokale, Partia Demokratike duket se ka shënuar një autogol i cili ka gjasa ti kushtojë rëndë.
Ka pak mundësi që të ketë njeri që nuk arrin ta kuptojë çfarë mund të ketë ndodhur në selinë blu në pak orët që sollën ndryshimin e qëndrimit të kandidatit Ilir Alimehmeti. “Sonte pushojmë! Nesër rifillojmë!” ishte deklarimi i tij i parë referuar betejës së pritshme të balotazheve të pas një jave.
Vetëm pak orë më pas ai deklaroi tërheqjen nga gara duke “tradhëtuar” 2,196 votuesit e tij që jo rastësisht nuk kishin preferuar të zgjidhnin Këlliçin por besuan tek kandidatura e doktorit. Një ngjarje e cila sigurisht pritet që të japë pasojat e veta me votat e munguara nga elektorati gri i kryeqytetit që sërish pa një triumf të politikës tradicionale dhe “vrasje” të garës së brendshme në ato që u quajtën primare.
Rast tjetër flagrant i dështimit të primareve është Bashkia e Elbasanit. Në këtë rast, Partia Demokratike nuk guxoi dot as të bënte një garë mes kandidatësh por ndërhyri intensivisht për të shuar çdo shkëndijë të tillë duke dekurajuar kandidimin dhe imponuar Luçiano Boçin.
Po cila ishte përgjigja e elbasanasve për këtë skemë të imponuar nga Tirana? Ata refuzuan të marrin pjesë në një proces farsë brenda partisë dhe ndëshkuan politikisht të vetmin kandidat, Luçiano Boçin. Kujtojmë se numri dy i demokratëve, në zgjedhjet e fundit parlamentare arriti të thyente herësin e të fitonte mandatin e deputetit teksa në territorin e Bashkisë Elbasan mori 7,810 vota personale.
Çfarë ndodhi në 4 Dhjetor? Tullumbacja e Boçit u shfry dhe ai përfundoi në vetëm 2,168 vota të deklaruara çka nënkupton një firo me mbi 72% në nivelin e mbështetjes personale. Ajo çka e bën më të rëndë situatën është fakti se në primare nuk morën pjesë vetëm anëtarët e Partisë Demokratike të Elbasanit por edhe simpatizantët e opozitës në tërësi në territorin e bashkisë.
Luçiano Boçi, pa asnjë rival përballë dhe tashmë edhe me mandatin e numrit dy të Partisë Demokratike nuk arriti dot të frymëzojë as 30% të atyre që vetëm një vit më parë i dhanë votën. Duke marrë për bazë faktin se: në referendumin e 18 Dhjetorit 2021 për shkarkimin e Lulzim Bashës votuan 1,250 anëtarë të PD-së Elbasan; në zgjedhjen e Blendi Himçit kryetar lokal Prillin e këtij viti votuan 1,150 anëtarë; ndërsa për rizgjedhjen e Sali Berishës kryetar në 22 Maj rezultuan 1,037 anëtarë votues; rezulton se Boçi nuk ka mundur dot të tërheqë as më shumë se 900 votues simpatizantë përtej strukturave të partisë nga një bashki e cila në total numëron 168,679 zgjedhës.
Arsyet për këtë rezultat të Boçit në Elbasan duket se kanë të bëjnë së pari me faktin se ai garon për herë të dytë për Bashkinë të cilën nuk arriti ta fitonte në vitin 2007 as kur Partia Demokratike ishte në pushtet.
Me pretendimin për të sjellë ndryshim pushteti në këtë bashki, demokratët u dhanë qytetarëve të Elbasanit si ofertë politike kandidatin e 16 viteve më parë. Mjafton ta mendosh se një i ri që voton për herë të parë në 14 Maj, ka qenë vetëm 2 vjeç kur Luçiano Boçi humbte garën për Bashkinë në vitin 2007.
Boçi në sytë e elbasanasve konsiderohet një figurë e konsumuar politike pasi ka vite gjithashtu që është aktiv në skenën politike dhe ka mbajtur postin e deputetit. “Vrasja” e garës së brendshme në parti dhe dështimi i primareve duhet parë padiskutim si një tjetër arsye e cila ka sjellë mungesën e frymës mbështetëse ndaj Boçit dhe opozitës në tërësi në Bashkinë Elbasan çka paralajmëron për një disfatë në zgjedhjet e ardhshme të 14 Majit.
Marre nga: GazetaDita