Deputetja e Elbasanit Elena Duka, e cila i drejtoi pyetje kryepolicit Ardi Veliut për dhụnën e ushtruar ndaj 15-vjeçarit, ka reaguar për videon e publikuar ditën e djeshme. Ajo është shprehur se do të reagonte më parë, por e gjendur në situatë të vështirë, ka heshtur. Duka gjithashtu ka sqaruar se është përballur me komente dhe mesazhe fyese, kundrejt saj lidhur me situatën e shkaktuar nga Veliu. Deklaratën e plotë të deputetes e gjeni më poshtë.
“Mendja ime por besoj dhe e kolegeve të mia u ndodh në situatë të vështirë… Askush nga ne nuk komentoi, nuk interpretoi dhe as diskutoi në ato çaste mbi pamjet që u shfaqën, për t’ia lënë një momenti të dytë, më të qetë dhe ndoshta dhe më të kuptueshëm… nuk është se kuptuam shumë se çfarë po ndodhte aty…
U ndodhëm në situatë të vështirë dhe heshtëm… Nga ana tjetër, lidhur me çfarë deklaroi Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, fjala ishte e tij dhe sqarimi duhet të ishte patjetër i tij, ashtu siç në fakt ai veproi me deklaratën e tij për shtyp. Zot i fjalës është ai që e thotë dhe vetëm ai ka të drejtë ta sqarojë.
Unë personalisht i kërkoj ndjesë publike Zonjës që shfaqej në video për faktin që isha prezente dhe që nuk reagova në atë moment, por dua të t’ju them me siguri se as unë e as koleget e mia nuk u ndjemë mirë. Kam lexuar në rrjete sociale komente fyese nga më të ndryshmet… disa dhe në inboxin tim… shoqëri që për të mbrojtur një grua shan e ofendon në të gjitha format gra të tjera… kjo është shoqëria jonë, por gjithsesi vlerësime për të gjithë që reagojnë për të drejtat… E di mendimin që pason… je përfaqësuese e popullit, duhet të japësh llogari… po patjetër në çdo kohë, por fyerjet dhe ofendimet bien njëjtë mbi të gjithë, dhembin njësoj….
Dikush më pyeste a ke fëmijë, në një shkrim na etiketonin deputetet nëna… po kemi fëmijë, jemi nëna, si një pjesë e madhe prej jush… Po, jam nënë, prandaj e pyeta Drejtorin lidhur me dhụnën e ushtruar mbi djalin e mitur…
Dua ta mbyll me një thënie të Luigi Pirandello : “Një fakt është si një thes – nuk do të ngrihet nëse është i zbrazët. Për ta bërë atë të ngrihet, së pari duhet të vendosni në të të gjitha arsyet dhe ndjenjat që çuan atë në atë gjendje”.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.