Deputeti i Qarkut të Elbasanit Florenc Spaho, ishte i pranishëm ditën e djeshme në Forumin e 21-të Parlamentar të Cetinjës. Ky Forum është nismë autoktone rajonale e bashkëpunimit parlamentar të vendeve të Evropës Jug-Lindore në rrugën e tyre drejt BE-së, dhe një formë e rëndësishme e inkurajimit dhe promovimit të dialogut parlamentar midis vendeve të rajonit.
Gjatë fjalës së tij Deputeti Spaho, mes të tjerash foli për punën e kujdesshme dhe angazhimin shumë serioz të Parlamentit tonë për të krijuar një klimë të favorshme për mediat.

Në një status në faqen e tij zyrtare të facebook z. Spaho tregon për eksperiencën e tij në këtë Forum:
Ditën e djeshme u ndjeva i nderuar që si deputet i Kuvendit të Shqipërisë përfaqësova kolegët e mi në Forumin e 21-të Parlamentar të Cetinjes. Ishte privilegj të ndaja panelin me një personalitet të rëndësishëm si Margareta Cederfelt, ish deputete suedeze dhe aktualisht Zëvendës Presidente e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, por edhe me politikanë të tjerë të nivelit të lartë përfaqësues nga shumë vende të rajonit.
Tema “Parlamenti dhe Mediat – Realiteti kundrejt Pritshmërive të Ndërsjella” na çoi në diskutime të gjata dhe secili prej nesh solli realitetin e vendit të tij. Pata mundësinë të flas për punën e kujdesshme dhe angazhimin shumë serioz të Parlamentit tonë për të krijuar një klimë të favorshme për mediat.
Fryma e bashkëpunimit në të cilën në vitin 2013 u miratua ligji “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, vemendja e veçantë që Parlamenti i ka kushtuar përzgjedhjes së anëtarëve të AMA-s por edhe atyre të Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Publik Shqiptar janë tregues i një pjekurie në rritje në këtë aspekt.
Forumi ishte gjithashtu një mundësi për prezantimin e shembujve të mirë dhe për shkëmbimin e mendimeve mbi atë çka duhet të bëjnë parlamentet tona për të garantuar një liri të plotë të shprehjes dhe të medias.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.