Deputeti Florenc Spaho: Takim me Delegacionin Kuvajtian për Intensifikimin e Marrëdhënieve Shqipëri-Kuvajt

Deputeti Florenc Spaho, në cilësinë e Kryetarit të Grupit Parlamentar të Miqësisë Shqipëri-Kuvajt, ka pritur sot delegacionin e Kuvajtit, pjesë e Grupit Parlamentar të Miqësisë së Asamblesë Kombëtare të Kuvajtit, kryesuar nga z. Muhamed Hayef Al-Mutairi.

Në këtë takim, deputeti Spaho vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes Shqipërisë dhe Kuvajtit dhe shprehu angazhimin e dyanshëm për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve. Ai gjithashtu theksoi synimin për të rritur investimet e shtetit të Kuvajtit në Shqipëri.

Deputeti Spaho falenderoi palën kuvajtjane për ndihmën financiare që i ka ofruar Shqipërisë, veçanërisht përmes bashkëpunimit me “Fondin e Zhvillimit të Kuvajtit,” i cili ka kontribuar në financimin e projekteve të rëndësishme në vend.

Në këtë kontekst, ai kërkoi heqjen e vizave për shtetasit shqiptar nga Kuvajti, duke e parë si një hap pozitiv që mund të rrisë shkëmbimet ekonomike, tregtare, kulturore dhe turistike mes dy vendeve.

Ky takim paraqet një hap pozitiv në forcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kuvajtit në shumë fusha të interesit të përbashkët.