Wednesday , December 7 2022

‘Dashuria e ndaluar’ / Si thurën planin dhe u arratisën pa lënë gjurmë dy fëmijë nga Elbasani

Kjo është një histori tipike adoleshentesh të dashuruar që rrezikojnë gjithçka për ëndrrën e tyre.

Prej së shtunës paradite, dy adoleshentë 13-vjeçarë në Elbasan janë zhdukur dhe nuk dihet asgjë për fatin e tyre.

Hetimet paraprake çojnë në përfundimin se ata mund të ishin njohur më parë mes tyre dhe kishin një histori të fshehtë dashurie.

Nuk dihet nëse prindërit e vajzës ishin në dijeni, por mësohet se nëna kujdesej vazhdimisht, madje edhe e dërgonte dhe merrte nga shkolla edhe pse ajo ishte rritur tashmë.

Plani është vënë në jetë të shtunën paradite. Vajza ka bërë 2 orë mësim dhe është larguar. Djali nuk është paraqitur fare dhe duket se po organizontre ‘planin e arratisjes’.

Shoqet e vajzës kanë treguar se ajo po kursente lekët që i jepte familja për t’u ushqyer. Ndërsa shokët tregojnë se djali kishte shitur biçikletën dhe celularin.

Me të hollat e grumbulluara, të shtunën janë furnizuar në një supermarket dhe kjo duket nga kamerat e sigurisë.

Pastaj kanë faturuar një taksi e cila i ka lënë në ‘Qytetin Studnti’. Këtë e dëshmon edhe vetë taksisti. Pas kësaj kohe nuk ka më asnjë gjurmë rreth tyre.

Prindërit kanë bërë denoncim në polici dhe janë të alarmuar për fatin e tyre. Nëna e vajzës, madje edhe mësuesja kujdestare, po e përjetojnë keq ngjarjen.

E pabesueshme duket ngjarja për nxënësit e mësuesit shkollës “Qemal Haxhihasani”, pasi vajza ishte një nxënëse e shkëlqyer dhe fëmijë që në asnjë rast nuk kishte shfaqur problematika.

“Top Channel” shkoi në banesën e djalit të mitur, por familja ishte larguar. Ndërsa fqinjët thonë se prej dy ditësh ata ishin shumë të shqetësuar.

Policia po vijon kërkimet ndërkohë asnjë e dhënë zyrtare nuk vjen deri tani ndërsa nxënësit vijojnë të lëvizin lirshëm sipër kangjellave të shkollës, edhe pse një gjë e tillë është e ndaluar.

Familja ka frikë se mos vajza është gënjyer dhe është përfshirë në ndonjë rrjet trafikimi.

Policia ka shpërndarë fotot e fëmijëve dhe po punon për gjetjen e tyre.

Kërkime po kryhen në disa qytete, veçanërisht në Elbasan, Tiranë, Durrës e Vlorë.

Advertisement