Prej më shumë se një viti, Covid-19 ka “mbërthyer” gjithë botën dhe dalja nga kthetrat e tij duket si një “mision i pamundur”. Njerëzit, të stresuar nga ndikimi i virusit në jetën e tyre, mezi presin të çlirohen sa më shpejt prej tij dhe t’i rikthehen jetës normale, pa kufizime.
Por kur do të mund të kthehemi në normalitet?
Duke folur për Sky News, Clare Wenham, asistente e politikës globale shëndetësore në “London School of Economics”, deklaroi se jeta në mbarë botën nuk do të kthehet në normaliteti për dy ose tre vjet, bazuar në shkallën e përhapjes aktuale të vaksinimit, megjithëse, sipas saj, ka shenja të hershme që vaksinimi po ndikon në rënien e numrit të rasteve ditore në Mbretërinë e Bashkuar.
“Për momentin, të dhënat tregojnë se deri në vitin 2023/24 vaksinat nuk do të mund të shpërndahen tek të gjithë”, tha ajo, raporton Sky News.
“Kjo është një kohë e gjatë. Dhe shpërndarja e disa vaksinave tani mund të na çojë më shpejtë në normalitet”, theksoi ekspertja.
Sipas saj, edhe kur popullata e Mbretërisë së Bashkuar të jetë vaksinuar, kufizime të tilla si kontrollet kufitare do të vazhdojnë të ekzistojnë për shkak të kërcënimit të paraqitur nga variante rezistente të koronavirusit.
“Kjo pandemi nuk do të mbarojë derisa të mbarojë globalisht”, theksoi Wenham. “Ne do të jetojmë ende në një formë të kufizimeve, kufizime të udhëtimit, kontrolle kufitare, edhe kur të jemi vaksinuar, derisa ky proces të jetë kryer përreth botës. Kështu që, ekziston një domosdoshmëri e vërtetë për t’u siguruar që të gjithë në të gjithë botën të kenë nivele së paku minimale të vaksinave në të njëjtën kohë”, shtoi ajo.