Covid-19 i merr jetën kantautorit të njohur, Kujtim Prodani

COVID-19 shuan në moshën 57-vjeçare kantautorin e njohur Kujtim Prodani. Prej disa ditësh ai ishte shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi” ku merrte trajtim mjekësor. Lajmin për ndarjen e tij nga jeta e ka bërë me dije kushëriri i tij Voltan Prodani. “O ZOT.!!! Fluturon Kujtimi yne i shtrenjte!!!!! Cfare ďhimbje…  Nuk mund ta pranoj … O Zot. Aty Lart do kesh mbretin dhe mbretereshen tende”, shkruan ai.

Njoftimin për infektimin me COVID e bëri vetë Prodani në datë 30 Dhjetor teksa publikoi edhe foton nga reanimacioni me maskë oksigjeni në fytyrë. Bashkë me foton, kantautori shkruante: “Sa miq e të afërm na more, o flamë e keqe.”

Kur kishte pak javë që virusi COVID kishte mbërritur në Shqipëri, më 29 prill të vitit të kaluar kantautori Kujtim Prodani i kushtoi këngë këtij virusi. “Ju flet Corona..!”, titullohej kënga ku Prodani i cili kësaj here erdhi edhe si këngëtar duke i sjellë disa vargje virusit që sot i mori jetën pas disa ditësh i shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi.

Këngëtari Elton Deda ka përcjellë një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të kolegut të tij Kujtim Prodani. “Mossss! Pse o vellai jone? Cfare gezimi kishin bisedat me ty, miresia jote, zotnilleku jot, qytetari ideal…nuk e besoj dot. Nuk te them dot lamtumire…por do te te pres per nje birre kur te duash ti”, shkruan Elton Deda.