Çmimi i kafesë rritet me ritmin më të lartë në tre vjet, konsumi thyen rekord

Çmimi i kafesë në Shqipëri ka shënuar një rritje të ndjeshme gjatë vitit të kaluar, duke u rritur mesatarisht me 5.4%, niveli më i lartë që nga viti 2022. Në zonat më të frekuentuara të Tiranës, një filxhan kafe kushton sot minimalisht 110 lekë, nga 80–90 lekë në fillim të vitit 2025. Edhe në periferi, çmimi minimal është rritur në 80–90 lekë, nga 60–70 lekë që ishte më parë.

Rritja e çmimit të kafesë shkon përtej kostos së një produkti të zakonshëm, duke prekur drejtpërdrejt një ritual të rrënjosur social. Shqipëria ka një nga dendësitë më të larta të bareve për frymë në Europë dhe kafeja mbetet pika kryesore e takimit për punë, biseda dhe pushim. Por nga një shpenzim i vogël i përditshëm, ajo po shndërrohet gradualisht në një barrë të vështirë për t’u përballuar, sidomos për të rinjtë, pensionistët dhe punonjësit me paga fikse.

Sipas tregtarëve rritja e çmimeve lidhet kryesisht me dy faktorë: shtrenjtimin e kafesë në tregjet ndërkombëtare dhe rritjen e konsumit nga turistët. Importet e kafesë arritën vitin e kaluar një rekord prej 8.1 mijë tonësh, me rritje 5.3% krahasuar me vitin 2024, sipas të dhënave zyrtare të doganave.

Shkaku kryesor i shtrenjtimit lidhet me ofertën globale, e cila është goditur nga ndryshimet klimatike. Prodhuesit kryesorë, veçanërisht Brazili dhe Vietnami, janë përballur me episode të motit ekstrem, nga thatësira të zgjatura deri te reshje intensive, që kanë dëmtuar rendimentin. Kafeja është një kulturë shumë e ndjeshme ndaj kushteve klimatike dhe edhe devijime të vogla përkthehen shpejt në rënie prodhimi dhe rritje çmimesh.

Në të njëjtën kohë, kërkesa globale për kafe ka vijuar të rritet, veçanërisht në Azi dhe në tregjet urbane të vendeve në zhvillim, ku konsumi po rritet me ritme më të shpejta se në Europë dhe Amerikën e Veriut. Ky kombinim i kërkesës në rritje me ofertën e kufizuar ka ushtruar presion të drejtpërdrejtë mbi çmimet ndërkombëtare.

Edhe tregu vendas po ndikohet gjithnjë e më shumë nga turizmi. Me mbi 12 milionë turistë gjatë vitit 2025, konsumi i kafesë në qytete si Tirana, Durrësi, Vlora dhe Saranda është kthyer në një komponent të rëndësishëm të industrisë turistike. Për bizneset, kjo ka ndryshuar logjikën e çmimit, pasi kafeja nuk shitet më vetëm për konsumatorin vendas, por edhe për turistin europian që është i mësuar të paguajë 3–5 euro për një ekspres.

Në kushtet kur një pjesë e madhe e klientelës është e gatshme të paguajë më shumë, çmimi i tregut zhvendoset lart për të gjithë. Kjo prirje po ndikon edhe në strukturën e bizneseve të vogla, ku kafeja përbën një pjesë të konsiderueshme të xhiros dhe fitimit.

Në një mjedis gjithnjë e më të dominuar nga turizmi, shumë bare po orientojnë modelin e tyre drejt konsumatorit të huaj, ndërsa konsumatori vendas mbetet gjithnjë e më i ekspozuar ndaj rritjes së kostos së përditshme të jetesës.