Katër industri, të duhanit, alkoolit, ushqimeve ultra të përpunuara dhe lëndëve djegëse fosile janë shkaktare të 2.7 milionë vdekje në Rajonin Evropian çdo vit.
Në këtë përfundim kanë dalë ekspertët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, pasi kanë marrë në studim sëmundshmërinë dhe fatalitetet në popullatë.
Raporti i ri i OBSH-së thekson se si këto industri të mëdha nxisin sëmundjet kronike, duke penguar politikat shëndetësore dhe synuar njerëzit e cenueshëm.
Ata hedhin dritë mbi gamën e gjerë të taktikave që industritë përdorin për të maksimizuar fitimet dhe për të minuar shëndetin publik. këto praktika nxisin pabarazinë dhe shkallën e sëmundjeve tumorale, sëmundjeve kardiovaskulare dhe kronike të frymëmarrjes dhe diabetit dhe krijojnë një pengesë të madhe për politikat parandaluese.
Ekspertët thonë se këto “Katër industri vrasin të paktën 7000 njerëz në rajonin europian çdo ditë. Të njëjtat entitete të mëdha tregtare bllokojnë rregulloret që do të mbronin publikun nga produktet dhe marketingu i tyre.
Raporti përmban një sërë rastesh studimore që ilustrojnë gjerësinë dhe thellësinë e kapjes së politikave publike dhe politikë bërjes nga korporata, duke ndikuar në të gjitha fushat e jetës së njerëzve.
Nisur nga kjo situatë ekspertët ju kanë bërë thirrje qeverive të zbatojnë mekanizma për të identifikuar konfliktet e interesit dhe për të mbrojtur politikat publike nga ndërhyrja e industrisë.