Çfarë ndodhi gjatë natës në burgun e Peqinit? Hidhen me drone me…

PEQIN- Është publikuar fotoja e gjërave të cilat u hodhën me dron gjatë mesnatës brenda burgut të sigurisë së lartë në Peqin. Pas përfundimit të kontrolleve të detajuara ka rezultuar se sendet e hedhura janë dy telefona “Iphone”, 8 fisha karikuesi, tridhjetë e tre doza të dyshuara lëndë narkotike kokainë, rreth 210 gram e ndarë në doza të vogla lëndë e dyshuar kanabis sativa. Fotoja e sendeve është siguruar nga TCH.

Grupi i Forcave Speciale ka ushtruar gjatë natës kontrolle në zonën e Peqinit për zbulimin dhe identifikimin e grupit kriminal qe ka zgjedhur metodën e përdorimit te dronit për futjen e sendeve të paligjshme në burgje. Sipas raportimeve, ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:00 të së enjtes, ndërsa kanë qenë policët e shërbimit të kullave të vrojtimit, ata që kanë dëgjuar zhurmën e dronit dhe kanë pikasur edhe zonën ku po fluturonte.

Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose ka shkuar vetë në burgun e Peqinit, ku edhe urdhëruar gatishmëri dhe kontrolle të rrepta në qeli dhe rritjen e masave të kontrollit dhe rritje të vigjilencës së kontrollit edhe nga ajri, pas konstatimit të dy rasteve të fundit të fluturimit të dronëve në hapësirën e burgjeve të Burrelit e Peqinit. Kujtojmë se më 8 shtator një tjetër dron u pikas në burgun e Burrelit.