Çështja e 300 familjeve të Elbasanit në Kuvend, Aulona Bylykbashi kërkon ndërhyrje ligjore


Nga foltorja e Kuvendit, deputetja e Partisë Socialiste, Aulona Bylykbashi, ngriti një shqetësim që prek drejtpërdrejt qindra familje në mbarë vendin, mes tyre edhe shumë qytetarë të Elbasanit, mungesën e sigurisë juridike për pronën, ndonëse apartamentet janë paguar dhe banohen prej vitesh.
Në një fjalim me tone të drejtpërdrejta, ajo e krahasoi realitetin aktual me periudhën e kaosit urban, kur ndërtohej pa plan, pa standarde dhe pa kontroll. Sipas saj, pasojat e asaj kohe vijojnë të bien mbi familje që kanë investuar kursimet e një jete për të siguruar një shtëpi, kanë marrë kredi dhe kanë shlyer çdo detyrim, por ende nuk pajisen dot me certifikatën e pronësisë.
“Janë familje që kanë paguar çdo qindarkë, që jetojnë prej vitesh në apartamentet e tyre, por ligjërisht nuk janë pronarë,” theksoi Bylykbashi, duke e cilësuar këtë një padrejtësi që kërkon zgjidhje institucionale.
Ajo renditi një sërë problematikash që lidhen me zhvilluesit, mungesë certifikate përdorimi, tejkalim të lejes së ndërtimit pa rishikim, ndarje teknike të papërfunduar të njësive, procedura administrative të pambyllura, apo edhe raste falimentimi. Në situata të tjera, ndërtuesit me detyrime financiare përballen me masa përmbarimore, ku objektet vendosen nën sekuestro dhe figurojnë ende në emër të tyre, duke lënë familjet jashtë çdo mbrojtjeje ligjore.
Në Elbasan, situata është konkrete. Sipas deputetes, aktualisht janë pesë pallate të braktisura nga investitorët, me rreth 60 familje në secalin, afro 300 familje që nuk arrijnë të regjistrojnë pronën e tyre. Në disa raste zhvilluesit kanë qenë të papërgjegjshëm, në të tjera kanë falimentuar, ndërsa nuk mungojnë rastet kur për shkak të borxheve, apartamentet e shitura përfshihen në proceset e përmbarimit.
“Familjet dalin të fundit në radhë, ndërkohë që bëhet fjalë për djersën e një jete,” u shpreh ajo.
Bylykbashi theksoi se që prej vitit 2014 janë ndërmarrë hapa për të disiplinuar tregun e ndërtimit, ndërsa në vitin 2024 janë forcuar penalitetet dhe përgjegjësitë për zhvilluesit. Po ashtu, në vitin 2025 është vendosur që lidhja me energjinë elektrike dhe ujësjellësin të bëhet vetëm pas marrjes së lejes së shfrytëzimit, një masë që, sipas saj, ka rritur ndjeshëm sigurinë juridike për kontratat e reja.
Megjithatë, për familjet që ndodhen sot në këtë situatë, zgjidhja mbetet e hapur. Për këtë arsye, deputetja propozoi një iniciativë ligjore që do të mundësojë regjistrimin e së drejtës së blerësit kur provohet pagesa dhe posedimi real i banesës. Ajo kërkoi gjithashtu përjashtimin e njësive të shitura nga masat e përmbarimit ndaj ndërtuesit, përmes një procedure të përshpejtuar administrative që nuk varet vetëm nga vullneti i zhvilluesit.
“Siguria juridike e pronës nuk mund të mbetet peng i papërgjegjshmërisë së ndërtuesit. Ne duhet ta vendosim qytetarin dhe të drejtën e tij të pronësisë mbi gjithçka,” përfundoi Bylykbashi nga foltorja e Kuvendit.