Ishte emocionuese të flisje dje në mbrëmje me familjen e Briken Caljes. Na pritën ngrohtë, me shumë respekt dhe me një gëzim që e reflektonin në çdo gjest që bënin. Ishte legjitime gjithçka. Po, sepse biri i dy prindërve të mrekullueshëm, Gëzimit dhe Fluturës, bashkëshorti i një zonje shumë të sjellshme, Eledjanës dhe babai i një djali të vogël, Noah, pak orë më parë ishte shpallur kampion bote në stilin e shkëputjes dhe nënkampion në shtytje e dygarësh. Arritje e madhe për Shqipërinë.
Calja bëri krenar gjithë shqiptarët dhe familjen e tij, që me shumë mund dhe sakrifica e mbështetën në udhëtimin e një sporti tejet të vështirë. “Im bir e ka kaluar gjithë rininë e tij me sport. Ka punuar shumë, ka sakrifikuar gjithçka kur moshatarët e tij rrinin në kafe. Sot nuk është rastësi që është kampion bote”, thotë nëna e tij Flutura. Në intervistën ekskluzive për “Panorama Sport”, prindërit dhe bashkëshortja e Briken Caljes rrëfejnë emocionet për arritjen e shtangistit dhe tregojnë disa nga pikat e tij të dobëta…
Tashmë djali juaj është kampion bote, si ndiheni dhe a jeni krenar?
Babai dhe nëna: Jemi shumë krenarë. Na ka bërë pa masë të lumtur.
Sa e vështirë ka qenë për ju të rrisni një kampion bote?
Babai: Kemi punuar. Me shumë sakrifica dhe me shumë mund e kemi ndihmuar që ai të arrijë deri këtu ku është.
Pra, keni bërë gjithçka?
Nëna: Po, gjithçka kemi mundur kemi bërë vetëm për të. Pra, që ai të arrijë deri këtu ku është sot.
Cila janë pasionet e tij përveç sportit?
Nëna: Sport dhe vetëm sport. Kjo që po bën sot ka qenë gjithnjë dëshira dhe ëndrra e tij që i vogël.
Cili është gatimi që i pëlqen nga nëna e tij?
Nëna: Gjithçka që unë gatuaj ai e pëlqen.
Nuk ka ndonjë ushqim të preferuar kampioni i botës?
Nëna: Jo, çdo gjë që unë bëj atij i pëlqen. Nuk ndan asgjë (qesh).
Cila është ana e tij më e fortë?
Babai dhe nëna: Përkushtimi. Gjithnjë ka qenë i përkushtuar dhe vetëm me sportin, asgjë tjetër. Një herë nuk e ka shijuar jetën e vet dhe rininë e vet, por është marrë vetëm me sportin, ndërkohë që gjithë rinia rrijnë rrugëve. Asgjë tjetër.
Kur e ka nisur peshëngritjen?
Babai: Që në klasën e tretë…
Cilat janë pikat e tij të dobëta?
Nëna: Preket shumë kur ka diçka që nuk shkon në familje. Familjen e ka pikë të dobët. Ndonjëherë është shqetësuar shumë edhe sepse ndonjëherë unë nuk kam qenë mirë.
Cili ka qenë momenti më i vështirë për të?
Nëna: Nuk ka pasur asnjëherë momente të vështira.
Kujt ia dëgjon më shumë fjalën?
Nëna: Të gjithëve ua dëgjon fjalën. Është shumë i respektueshëm.
Çfarë do t’i thoshte bashkëshortja në këtë moment Brikenit?
Arritje e mrekullueshme. Jam shumë krenare për Brikenin dhe i uroj lart e më lart.
Nga Shtërmeni MARIGLEN MIRAKA – Panorama Sport