Çelet ekspozita “Stinët” në teatrin Skampa, vlerësohet me titullin “Qytetar Nderi” piktori Sadik Kasa

Me rastin e Ditës së Verës dhe 70 vjetorit të lindjes së piktorit të mirënjohur elbasanas Sadik Kasa në hollin e Teatrit Skampa u cel ekspozita “Stinët”.

Një ekspozitë e cila i jep mundësi publikut të përjetojë botën artistike të piktorit përmes një cikli veprash që pasqyrojnë natyrën shqiptare në transformimin e saj të përhershëm. Peizazhe që lëvizin nga drita e pranverës tek ngjyrat e vjeshtës, nga qetësia e liqeneve tek madhështia e maleve, të gjitha të interpretuara me penelata të gjalla dhe një ndjeshmëri të thellë artistike.

Sadik Kasa, një nga figurat më të spikatura të artit pamor në Elbasan shprehet I lumtur dhe krenar për rrugëtimin e tij artistik dhe dashurinë që ka për natyrën dhe ngjyrat.

Pikturat e Sadik Kasës janë një dialog i vazhdueshëm me natyrën dhe kohën. Për kolegun e tij Gazmend Leka pikturat e Sadik Kasës janë një pasuri e vyer për qytetin e Elbasanit.

Për kontributin e tij të cmuar, Këshilli Bashkiak i Elbasanit e nderoi piktorin elbasanas me titullin e lartë “Qytetar Nderi ”, titull i cili iu akordua nga Kryebashkiaku Gledian Llatja.

Pikturat e Sadik Kasës mbajnë brenda tyre kujtesën e vendit, emocionin e stinëve dhe dashurinë për peizazhin shqiptar.