Bursa shtesë për nxënësit, Këshilli Bashkiak Elbasan miraton listën. Ja kush përfitojnë

Këshilli Bashkiak i Elbasanit, në mbledhjen e tij të radhës miratoi dhënien e bursave për nxënësit e arsimit parauniversitar dhe arsimit profesional për vitin 2021-2022. Ndryshimi në vendimin e dhënies së bursave erdhi pasi një pjesë e nxënësve dërguan me vonesë aplikimet. Duke qenë se këta nxënës i përkasin shtresave vulnerabël u vendos marrja në shqyrtim e kërkesave të tyre.

Nga ana e bashkisë u bë me dije se nga komunikimet e vazhdueshme që bëhet me drejtoritë e shkollave rezulton se disa nga nxënësit fitues të bursave nuk e kanë frekuentuar muajt e parë të semestit të parë shkollën dhe për këtë arsye kanë djegur kuotat që mund t’i shkonin një tjetër familjeje në pamundësi ekonomike, një nxënësi në nevojë i cili e frekuenton shkollën në mënyrë periodike.

Bashkia Elbasan u ka kërkuar dy ministrive përkatëse të shtyjnë afatin e llogarive së kuotave financiare, ku ministria e Arsimit e ka shtyrë deri në fund të muajit maj ndërsa ministria  e Financave deri në 31 mars, në mënyrë që bashkia të ketë kohën e mjaftueshme për të rishikuar edhe njëher kuotat. Në këtë mënyrë nxënësit që nuk janë paraqitur në mësim në muajt e parë janë spostuar dhe do të shpallen fitues nxënësit që vërtet e meritojnë, bazuar edhe në ligj.

Duke qenë një bashki sociale me fokus të veçantë shtresat në nevojë Bashkia e Elbasanit i propozoi Këshillit Bashkiak shtimin e listës së nxënësve përfitues të bursave. Këshilli Bashkiak miratoi unanimisht listën e propozuar nga Bashkia Elbasan.