Breshëri plumbash drejt 32-vjeçarit, plagoset i riu! Ngjarja në derë të Komisariatit, autori arratiset

Një ngjarje e rëndë kriminale është shënuar mbrëmjen e kaluar në qytetin e Bulqizës. Alban Tançi është plagosur me dy plumba pas të shtënave me armë në drejtim të tij.

Mësohet se ngjarja ka ndodhur në afërsi të komisariatit të Bulqizës ku 32-vjeçari Tançi po udhëtonte me automjetin e tij teksa autori i dyshuar i kësaj ngjarje shtetasi Halit Bajraktari ka hapur zjarr, duke e lënë të plagosur.

Sipas policisë, ngjarja e mbrëmshme ka ardhur si rezultat i një konflikti të mëparshëm mes Alban Tançit dhe Halit Bajraktarit, të dy 32 vjeç.

Mësohet se Tançi ka marrë dy plumba në këmbë dhe ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Policia ka shpallur në kërkim 32 vjeçarin Halit Bajraktari i cili akuzohet për veprat penale “Vrasja, e mbetur në tentativë”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Mësohet se Alban Tançi është me precedent të mëparshëm në fushën e krimeve ndaj personit. Në vitin 2020 ai u arrestua nën akuzën e gjobëvënies ndaj një biznesmeni kromi, ndërsa në vitin 2019 ai kishte plagosur në dorë një shtetas për motive të dobëta.