Boçi takim me ekspertët e turizmit në Elbasan, prezanton programin e tij

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Elbasanit, Luçiano Boçi mblodhi në një tryezë diskutimi ekspertët e turizmit në Elbasan, për të kërkuar mendimin e tyre mbi projektet e propozuara prej ekipit të tij.

Ndërsa sqaroi se mëse 70 persona kanë punuar mbi atë që do të jetë platforma e tij zgjedhore dhe projekti më i mirë për Elbasanin e së ardhmes.

“Ka vetëm një cilësor që përdoret për Elbasanin: Ai është i bukur! Sikur ne të përthithim në Elbasan një të pestën e gati 8 milion vizitorëve që hyjnë në Shqipëri në vit – objektiv I mundshëm, do të kishim jo më pak se 55 milion euro të ardhura për qytetarët. Synimi ynë në fakt është të arrijmë 4 herë më shumë brenda fundit të mandatit tim”.

Z. Boçi shpalosi idetë e tij për Turizmin Kulturor dhe Kalanë – duke përmendur edhe 80 monumente historike që ka Elbasani. Ai tha se turizmi me Llixhat, turizmi natyror me Gjinarin, Funarin, Shushicën e Byshekun, Shmilin, Labinot Malin dhe shumë thesare të tjerë natyrorë, mbetet detyrim i menjëhershëm për t’u zhvilluar prej tij dhe ekipit që e mbështet.

Turizmi Tregtar ishte një risi në projektin e prezantuar nga Luçiano Boçi, i cili lajmëroi ndërtimin e një Parku Tregtar të ngjashëm me atë në Serravale të Italisë. “Elbasani ka një traditë të jashtëzakonshme në artizanat! Në shek. 17 ky qytet kishte 900 dyqane dhe 30 shoqata zejtarësh – esnafë. Ata kanë marrë pjesë në panaire ndërkombëtare qysh në shek.14. Muzeu i Gjallë i Zejeve do ta ringjallë këtë traditë të mrekullueshme. Në mbështetje të turizmit gjithëvjetor, Panari Rajonal do të ofrojë evente që fuqizojnë sektorët e interesit të veçantë në Elbasan”.

Mes të tjerash Boçi përmendi nevojën urgjente për ringjalljen e Kalasë dhe rikthimin e gërmimeve antike në atraksion absolut të qytetit, krijimin e një shtëpie ndërkombëtare të përkthimit në gjurmët e traditës së Elbasanit, ndërtimin menjëherë të tureve të turizmit fetar ndërsa foli në detaje për projektin e tour-it Egnatia – duke bashkuar Durrësin dhe Ohrin në një udhëtim krejt të veçantë.

Elbasani ka gjithçka që i duhet së ardhmes, nënvizoi Luçiano Boçi duke ftuar qytetarët që në zgjedhjet e 14 majit të votojnë për ndryshimin. “Ban Ndryshimin” – kjo është fjala magjike drejt së ardhmes.