Kandidati i Koalicionit “Bashkë Fitojmë” në Elbasan, Luçiano Boçi prezantoi sonte programin e tij zgjedhor pas një konsulte me të paktën 70 ekspertë vendas dhë një numër të madh institucionesh, të vendit dhe të huaja.
“Kolonat kryesore mbi të cilat mbështetet siguria jonë për të ardhmen janë Demokracia Direkte dhe Zhvillimi Ekonomik” tha Boçi duke sqaruar se bashkia do të krijojë 9 kompani me kapital të përbashkët për të krijuar shumë vende të reja pune.
Duke shpjeguar atë që ai e quajti një risi absolute në Shqipëri, Luçiano Boçi sqaroi se “Protokollet Qytetëse që ai do të firmosë u japin pushtet real qytetarëve”:
“Përmes të drejtës kushtetuese të Peticionit, 1% e banorëve mund ta detyrojnë Këshillin Bashkiak të mblidhet dhe të diskutojë çdo çështje me interes publik; 5% e banorëve mund të kalojnë në votim të Këshillit Bashkiak çdo Propozim të tyre dhe 25% e banorëve mund të rrëzojnë çdo vendim të Këshillit Bashkiak dhe ta kthejnë atë për rivotim”.
“Do t’i tregojmë Qeverisë sesi qeveriset një vend njerëzish të qytetëruar!” – shpjegoi profesori i letërsisë së krahasuar i cili për herë të parë do të përfshijë në votim edhe Diasporën mbi çdo projekt-vendim të këshillit bashkiak.
Ai ripërsëriti projektet ambicioze të bashkisë së tij përfshi Parkun Teknologjik Universitar – Technopolis – që mori në fund të takimit edhe mbështetjen e plotë të rektorit të Universitetit Polis Prof. Dr. Besnik Alia.
“Ata që u tallën me qytetin e filmit dhe parkun e lojrave për fëmijët tanë janë të njëjtët që po mashtrojnë me garat e Formula Uno-s në një bashki ku 50% e rrugëve janë të pa shtruara dhe afër këtij cirkuiti gjendet një mal i tërë me plehra. Ata që u tallën me qytetin e filmit harruan se në Elbasan kanë shkatërruar shtëpinë e kulturës, kinematë e qytetit, madje dhe këndin sportiv historik të Elbasanit.” ‘ reagoi Boçi. “Andi Deliana – një qytetar elbasanas – shpjegoi ai, është pedagog i Universitetit Ndërkombëtar të Filmit në Nju Jork dhe po zbaton një nismë të njëjtë në Amerikën Latine. Ai është i lumtur ta sjellë atë përvojë edhe në qytetin e tij të lindjes”.
Boçi lajmëroi një firmosje të afërt për një projekt tjetër madhor në Elbasan dhe vuri në pah se është i gatshëm të punojë ngushtë me një bërthamë shumë profesionale ekspertësh që janë sot brenda bashkisë së Elbasanit. Ai po ashtu shtoi se synon të përfshijë shumë të tjerë të lënë në harresë nga politika si dhe me emra të shquar të diasporës që kanë shkëlqyer në fusha të ndryshme.
Boçi shfaqi edhe imazhe nga zgjidhja për kryqëzimin e Cërrikut, Parkun e ri Olimpik, Muzeun e Gjallë të Zejeve, etj – projekte për të cilët z. Luçiano Boçi ka identifikuar tashmë zgjidhjet e nevojshme për realizimin e tyre pa vonesë.
Secili prej jush është një Kampion i Ndryshimit, u tha Boçi të pranishmëve që morën pjesë në takimin entuziast.