Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Luçiano Boçi, nënshkroi sot një Memorandum Mirëkuptimi dhe Bashkëpunimi duke angazhuar një shoqëri financiare europiane për ngritjen e fondeve në financimin e një numri projektesh zhvillimore. Këto financime, sipas Boçit, do të krijojnë 2.500 – 3.000 vende të reja pune në Elbasan.
“Në fakt punësimi nuk është detyra e parë e një bashkie. As rritja ekonomike. Por në kushtet e dhëna ne nuk kemi dot një terapi më të mirë për Elbasanin” – nënvizoi kandidati Luçiano Boçi.
Duke përmendur përvojat europiane, përfaqësuesi i opozitës së bashkuar tha se një bashki proaktive është rruga më e mirë për t’ju përgjigjur përparësisë numër një të Elbasanit, e cila është varfëria.
Sipas kësaj marrëveshjeje që u nënshkrua sot, shoqëria F5 Finance Limited do të ngrejë 180.5 (njëqind e tetëdhjetë pikë pesë) milionë euro për realizimin e një blloku projektesh siç janë: Technopolis – parku teknologjik pranë Universitar, Qyteti i Filmit, Qendra e Pritjes dhe Trajtimit të të Moshuarve, Laboratori i Certifikimit të Produkteve Agro-ushqimore dhe Parku Tregtar i Elbasanit – brenda të cilit përfshihen Panairi Rajonal, Muzeu i Gjallë i Zejeve dhe Outleti Ndërkombëtar.
Këto janë 7 nga 9 projektet që Luçiano Boçi ka ofruar të realizojë në Elbasan brenda mandatit të tij të ardhshëm.
Dy projektet e tjera përfshijnë një park të energjisë diellore mbi çatitë e shtëpive në qytet dhe në njësitë administrative, për të cilën bashkia do të nënshkruajë brenda këtyre ditëve një marrëveshje me një partner të kompanisë së njohur europiane EDISON. Projekti tjetër është një park i madh lojërash në hyrje të qytetit të filmit, si një atraksion i shtuar për gamën e gjerë të turizmit në këtë rajon.
“Elbasani është një mundësi shumë e rëndësishme ekonomike dhe një potencial i çmuar që meriton mbështetje!, – tha z. Michele Cariola, bankier me përvojë dhe drejtues i F5 Finance Ltd.
Ai shpjegoi modelin e financimit si “Project Funding” që do të zbatohet në Elbasan. Më tej ai sqaroi se ky nënshkrim nuk është elektoral, por një angazhim i sinqertë profesional dhe financiar për fatin e një qyteti me shumë vlera.
Cariola, i cili është njëherësh përfaqësues i FederItaly për Shqipërinë, lajmëroi se Elbasani do të gëzojë mbështetjen e organizatës së tij – e cila mbron dhe promovon markën “Made In Italy” – për ndërtimin e markës rajonale të mbrojtur dhe të kontrolluar “Made in Elbasan”.
Boçi riftoi në Elbasan presidentin e FederItaly, Carlo Verdone, i cili ka mbështetur publikisht propozimin e krijimit të markës “Made in Elbasan”.