Boçi: Krimi mjedisor që konsumohet në Elbasan prej 5 dekadash vret në heshtje jetët tona. Mjedisi, përparësi e jona

Kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Elbasanit, Luçiano Boçi, ka denoncuar atë që ai e quan krim mjedisor në këtë qytet.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Boçi shprehet se shumë qytetarë kanë ndërruar jetë nga kanceri i shkaktuar nga uzinat e Metalurgjisë dhe të Kobaltit.

Ai tha se krimi mjedisor ka vrarë dhe vret në heshtje jetët dhe ëndrrat e qytetarëve, duke shtuar se mjedisi do të jetë përparësi e tij nëse fiton zgjedhjet për Bashkinë e Elbasanit.

Reagimi i Boçit:

“Mjedisi është përparësia absolute e jona; ai është shëndeti i fëmijëve tanë dhe aftësia jonë e mbrojtur për t’u trashëguar si qytetërim.

👉Pyeteni veten: sa të njohur tuajt u vranë nga kanceri? Sa miq e shokë falë uzinës së kobaltit nuk patën dot fëmijë? Sa shpesh keni dëgjuar për sëmundjet profesionale të Metalurgjisë?

🚨Krimi mjedisor që konsumohet në Elbasan prej mëse 5 dekadash ka vrarë dhe vret në heshtje jetët tona, fuqitë ekonomike, planet tona për zhvillim, ëndrrat tona. Kjo ndjesi largon fëmijët, dëshpëron mendjet e shkolluara dhe ashpërson gjithë mjedisin shoqëror të mbetur pa shpresë.

☘️Rikthimi i Mjedisit në përparësinë tonë me të lartë është alfa dhe omega e projektit tonë për Elbasanin. Na duhet të rigjejmë fuqinë për të rikthyer në norma të pranueshme ajrin dhe ujin, tokën dhe rrënjët e qytetërimit tonë. Vetëm bashkë – mundemi.”