BLLOKOHET QYTETI, ELBASANI NË FESTË

Nga Miranda Sadiku

Këtë mbrëmje (e enjte) Elbasani feston titullin kampion në kategorinë e parë në futbollin kombëtar dhe pas shumë vitesh ngjitjen në Kategorinë Superiore.
Për t’u dhënë mundësi qytetarëve të festojnë këtë event të rëndësishëm për qytetin, bashkia ka
bllokuar bulevardin “Aqif Pasha” për qarkullimin e mjeteve prej orës 16:00-24:00.
Pas ndeshjes me Bylis, skuadra AF Elbasani do të parakalojë në bulevardin e qytetit së bashku me sportdashësit.
Pritet një atmosferë e madhe festive për qytetin e Elbasanit rikthimi i ekipit të Elbasanit në superior, ku nën kujdesin e vecantë të kryetarit të bashkisë Gledian Llatja festa nis në orën 17.00 të mbasdites në Elbasan “Arena”, ku qindra tifozë do të triumfojnë fitoren e ekipit, për të vijuar më pas në parakalimin e ekipit në bulevardin kryesor të qytetit, e për ta përmbyllur këtë fitore në një koncert të madh festiv në sheshin “Gensher” të qytetit të Elbasanit.

Ky është një rikthim i madh në elitën e futbollit shqiptar që tifozëve elbasanas u kishte munguar aq shumë.

Bashkia e Elbasanit meriton një vlerësim të veçantë për kontributin e saj në suksesin e ekipit të futbollit të qytetit.

Ky institucion ka luajtur një rol kyç në promovimin e sportit në komunitet, duke organizuar evenimente dhe programe të sportit në qytet, duke nxitur zhvillimin e talenteve të futbollit.

Mbështetja e vetë kreut të bashkisë në cdo ndeshje të ekipit ka ndihmuar në rindërtimin e një ekipi të fortë dhe konkurrues në skenën e futbollit.

Kjo fitore është një kapitull i ri në historinë e futbollit elbasanas, një histori që shkruhet me pasion për lojën.
Tani, ekipi i Elbasanit frymëzon gjeneratat e ardhshme për të ndjekur ëndrrën e tyre në sport.