Kryetari i Shoqatës së Transportit Urban dhe Interurban, Dashnor Memaj ka folur për situatën e krijuar nga bllokimi i rrugës së Librazhd.
Sipas tij, situata ka qenë e vështirë dhe e paqartë për operatorët e transportit dhe qytetarët. “Kemi pasur komunikime të vazhdueshme me shumë qytetarë për të marrë informacione se ku duhet të kalojnë dhe si duhet të lëvizin nga Tirana drejt Korçë apo zonave të tjera të prekura”, u shpreh Memaj.
Ai theksoi mungesën e theksuar të informacionit mbi rrugët alternative, çka ka rritur rrezikun për rëndim trafiku dhe kolaps në akset dytësore, të cilat sipas tij nuk plotësojnë standardet për të përballuar fluksin e lartë të mjeteve dhe të transportit publik.
Si alternativë, operatorët janë detyruar të përdorin itinerarin në drejtim të Elbasan, Gramsh, Maliq dhe më pas drejt Korçës. Megjithatë, kjo zgjidhje ka sjellë rritje të kohës së udhëtimit dhe kostove për operatorët e transportit publik.
Memaj theksoi se shumë qytetarë e kanë të domosdoshme përdorimin e transportit publik dhe se situata aktuale po krijon vështirësi serioze në respektimin e orareve dhe itinerareve, pasi disa zona aktualisht nuk mbulohen nga shërbimi.
“Kjo është një situatë e paqartë dhe nuk e dimë sa mund të zgjasë, as si duhet të zgjidhet”, përfundoi ai.
/rtsh.al/
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.