Në punën e tij si neurokirug, Kita Sallabanda ka kryer operacione të vështira, sfiduese deri në kufijtë e së pamundurës. Teksa gjatë intervistës në “Opinion” në Tv Klan erdhi momenti për të rrëfyer një prej këtyre ndërhyrjeve, në ekran u shfaqën dy foto. Në një prej tyre mjeku ndodhet përkrah një vajze me një qepje në kokë, e cila buzëqesh.
Kita Sallabanda: E shikoni këtë vajzën?
Blendi Fevziu: Po.
Kita Sallabanda: Kjo vajza është një studente amerikane që ishte në Madrid dhe një natë e godet një makinë, vjen me një traumë, në koma.
Blendi Fevziu: Aksident?
Kita Sallabanda: Në aksident. Unë i bëj një operacion, po të shikoni kokën, i hap të gjithë kokën, e lë me trurin gati përjashta, e mbaj një muaj kështu derisa ulet edema e trurit dhe përsëri ia vë të dy pjesët e kokës.
Blendi Fevziu: Një muaj në koma?
Kita Sallabanda: Po. Ky ishte një operacion që në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk bëhej dhe unë ia bëra me shumë vështirësi në Spanjë sepse ishte hera e parë që realizohej ky tip ndërhyrjeje, të paktën në Spanjë dhe në Amerikë nuk bëheshin. Kjo vajza, përpara se të dilte nga spitali, më thotë një fjalë shumë të bukur “doktor, dua që të jesh babai im i dytë” dhe nuk më thërret “doktor”, më thërret “baba”.
Ndërkohë, mjeku tregon edhe historinë e fotos përkrah.
Kjo është pas 5 viteve, isha vitin e kaluar në Çikago,kjo goca është nga Çikago, më fton në Çikago, jam me familjen e saj dhe më tha një fjalë që më emocionoi shumë, tha “nuk e di se kush do të më çojë në altar, ti apo babai im”, më thotë “baba”.