Befasuese në Elbasan, dy punonjëse policie rezultojnë përdoruese droge

2 punonjëse policie të patrullës së përgjithshme në Elbasan, të moshës 25 vjeçare, kanë rezultuar përdoruese të drogës teksa i janë nënshtruar testit të drogës. Lajmi konfirmohet zyrtarisht nga burime për abcnews.al.

Punonjësit e policisë së shtetit po i nënshtrohen testit të drogës javët e fundit pas urdhrit të firmosur nga Drejtori i Përgjithshëm Gledis Nano. Në urdhrin për testin e drogës përcaktohet se çdo efektiv do t’i nënshtrohej 2 analizave të gjakut dhe urinës me qëllim kryqëzimin e rezultateve për shmangien e ndonjë gabimi apo pasaktësie.

Kjo mënyrë e të kryerit të testin është pasi analiza e urinës vërteton praninë e substancave narkotike për një periudhë 5 ditore, ndërsa e gjakut mund të identifikojë përdoruesit maksimumi deri në dy javë.

Nano ka paralajmëruar se efektivët që dalin pozitiv do të lirohen menjëherë nga detyra, ndërsa për raste specifike mund të ketë edhe nisje të hetimeve apo masa shtrënguese. Deri më tani nuk ka një raportim të saktë se sa është numri i punonjësve të policisë që i janë nënshtruar testit dhe nëse ka të tjerë që kanë dalë përdorues droge./abcnews.al