Bashkia e Elbasanit, në terren! Kryetari Latja apelon për qetësi dhe zbatim të rregullave

Bashkia e Elbasanit, stafi dhe strukturat e saj në qendër dhe në bazë, janë tashmë prej disa ditësh non-stop 24 orë në shërbim të qytetit dhe qytetarëve. Situata e krijuar së fundi nga koronavirusi, alarmet, ankthi dhe paniku që kapi një pjesë të qytetarëve, duket se po largohet, kur qytetarët shohin dhe ndjejnë nga afër kujdesin e shtetit, por edhe të bashkisë tyre. Në Elbasan prej disa ditësh, deklaroi kryetari bashkisë zoti Gledian Llatja “ka nisur aksioni i madh i informimit, kujdesit ndaj qytetarëve dhe dizinfektimit të shkollave, kopështeve, çerdheve, tregjeve, parkingjeve të mjeteve urbane, terminaleve, dhe vatrave të tjera ku mendohet se janë të rrezikshme. Ne kemi angazhuar gjithë potencialet tona, stafi bashkisë duke nisur nga unë, specialistët e terrenit, të Ujësjellësit, dhe Pastrimit të qytetit, janë në gjendje të lartë gatishmërie, duke siguruar dhe qetësuar qytetarët për ndihmën dhe kujdesin tonë.

Por nga ana tjetër, mbetet detyrim primar i çdo qytetari, të zbatojë rregullat dhe këshillimet e strukturave të Ministrisë Shëndetsisë, Ministrisë Brëndshme dhe Transportit, të largohet paniku dhe dizinformimi, dhe të merret me qetësi gjithçka, sepse ne do të fitojmë edhe mbi këtë fatkeqësi, e cila nuk na gjeti fatmirësisht të papergatitur”. Kryetari Llatja, u shpreh se mban kontakte të vazhdueshme me institucionet shtetërore, dhe se ka angazhuar gjithë potencialet e bashkisë, për të siguruar higjenë, pastëri, ujë të bollshëm dhe të pastër, mjetet e pastrimit, etj. Ujësjellësi Elbasan, kryen çdo ditë analizat e ujit në mbi 20 pika të qytetit, dhe deri sot nuk ka patur asnjë problem shqetësues. Elbasani mbetet qyteti me një furnizim ritmik me ujë të pijshëm, falë kjo investimeve nga bashkia ndër vite. Aktualisht bashkia e Elbasanit, ka nisur dhe po përfundon një investim tjetër shumë të rëndësishëm që lidhet me furnizimin me ujë me orare të zgjatura, edhe në lagjet periferike të qytetit.

Kryetari bashkisë Elbasanit, jo pa keqardhje deklaron se “Dita e Verës 2020, natyrisht do të jetë një ditë festive, por jo siç e kishim parashikuar ne, në sheshet dhe rrugët e qytetit si zakonisht, Dita e Verës gjithsesi mbetet festa e Elbasanit, dhe kam bindjen se ajo edhe sivjet do të festohet nga qytetarët, pavarsisht se në kushte të tjera të cilat nuk varen nga ne. Unë i uroj një festë të mbarë qytetarëve të Elbasanit, uroj t’ja kalojnë gëzuar bashkqytetarët e mi të mrekullueshëm, të cilët gjithmonë kanë qenë dhe do të mbeten tolerantë, mikpritës, të kulturuar, mirëkuptues, solidarë bashkëpunues. Bashkë ne do t’ja dalim, dhe do të bëjmë punë dhe gjëra të bukura në dobi të qytetit dhe zhvillimit europianist të Elbasanit”.