Ditën e sotme dhjetëra makina RETRO kanë “pushtuar” qytetin e Elbasanit. Kjo ka tërhequr vëmendjen e banorëve të Elbasanit dhe jo vetëm, të cilët janë dyndur drejt Elbasanit. Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Elbasanin, Taulant Balla e cilësoi këtë aktivitet si një model që shërben për ta shndërruar Elbasanin në një destinacion për t’u vizituar.
Ndër dy atraksionet e këtij qyteti përmendi më tej Kalanë e Elbasanit dhe investimin më të fundit AutoMoto Park-un.
Numri dy i PS ka kritikuar më tej bllokimin e tunelit të Kërrabës paraditen e sotme për shkak të mitingut të kryedemokratit Lulzim Basha. Në një komunikim me gazetarët në Elbasan, Balla e konsideroi qesharake bllokimin e tunelit, ndërsa shtoi se nuk e kupton pse Basha merr makina me vete nga Tirana.
“Është qesharake ajo që ka organizuar Partia Demokratike. Për më shumë se 1 orë e ca bllokuar tuneli i Elbasanit me makina të nisura nga Tirana që shoqërojnë Lulin. Nuk e di ça meraku ka. Luli ndihu shumë i qetë, populli i Elbasanit nuk ka asnjë problem. Është e pakuptimtë që të marrësh makina me vete nga Tirana në Elbasan sepse secili nga qarqet voton ndarazi. Bllokimi i tunelit ishte shumë qesharake që nuk ia gjej arsyen,” tha Balla.