Banorët kërkuan nënkalim ose mbikalim pas vdekjes së 20-vjeçarit në unazën e Elbasanit, ARRSH mjaftohet vetëm me vendosjen e…

Në Unazën e Qytetit të Elbasanit, vendi ku u aksidentua për vdekje pak javë më parë 20-vjeçari Fiori Sula, janë vendosur nga ARRSH disa tabela sinjalizuese dhe ‘2 policë të shtrirë’.

Megjithëse banorët e zonës protestuan duke kërkuar që në rrugë të ndërtohen mbikalime ose nënkalime, për shkak të rrezikshmërisë që paraqet lëvizja e makinave, ARRSH është mjaftuar duke vendosur tabela sinjalizuese e policë të shtrirë për të ulur shpejtësinë.

Mungesa e mbikalimeve e nënkalimeve në Unazën e Elbasanit shpesh është bërë shkak për aksidente të shumta të këmbësoreve të cilët janë të detyruar të kalojnë përmes rrugës nacionale për të shkuar të shtëpitë e tyre. Në disa segmente të Unazës së Elbasanit mungon dhe ndriçimi.

Pak javë më parë një 20-vjeçar u përplas për vdekje nga makina teksa tentonte të kalonte në vijat e bardha në aksin Elbasan-Librazhd, që është njëkohësisht dhe unaza e qytetit të Elbasanit. Ndërsa në segmentin Elbasan-Metalurgji nje muaj me parë vdiq në aksident një tjetër këmbësore.