Nga Fatmir Popja
Në prag të përfundimit të procesit të zgjedhjeve të reja në degët e Partisë Demokratike në të gjithë vendin, kryetari i Sali Berisha duket se ka gati platformën e re për emërimin e drejtuesve politikë në qarqe, një hap që synon riorganizimin dhe fuqizimin e opozitës në nivel kombëtar.
Pas vendimit kohë më parë për të caktuar elbasanasin Luçiano Boçi drejtues politik në qarkun e Shkodër, burime të besueshme bëjnë me dije se në fokusin e lidershipit të Partia Demokratike e Shqipërisë është edhe ish-deputeti i njohur i Elbasanit, Aurel Bylykbashi. Sipas të njëjtave burime, Bylykbashi pritet të marrë detyrën e drejtuesit politik në një nga qarqet e rëndësishme të vendit, konkretisht në Vlorë ose Korçë.

Edhe pse karriera e tij politike gjatë 35 viteve të pluralizmit është ndërtuar kryesisht në Elbasan, Berisha duket se e konsideron përvojën e Bylykbashit të vlefshme për të forcuar strukturat e së djathtës në qarqe të tjera strategjike. Zyrtarizimi i këtij vendimi pritet të ndodhë në ditët në vijim.
Në këtë kontekst politik, Bylykbashi ka vendosur të tërhiqet nga gara për kryetar të degës së Partisë Demokratike në Elbasan. Ky zhvillim vjen në një moment kur dega lokale e PD po përgatitet për një proces të rëndësishëm zgjedhor, i cili është shtyrë për t’u zhvilluar më 21 ose 28 mars 2026.
Garë e fortë për drejtimin e PD në Elbasan
Zgjedhjet për kryetarin e degës së PD në Elbasan konsiderohen një moment kyç për riorganizimin e opozitës në një nga qarqet më të rëndësishme të vendit. Në garë pritet të jenë disa figura të njohura të strukturave të kësaj force politike:

• Alis Narazani, ish-kandidat për deputet në zgjedhjet e vitit 2025, përfaqësues i brezit të ri;
• Sokol Shkelzeni, sekretar aktual i degës së PD në Elbasan;
• Elior Vila, akademik me profil teknik dhe mbështetje nga rrethet intelektuale;
• Durim Çekrezi, kryetar i komanduar i degës;
• Lumturi Hasa, ish-kandidate për deputete dhe përfaqësuese e votës së grave në të djathtën shqiptare.
Ndërkohë, pedagogia Elsa Gega kishte shpallur fillimisht kandidaturën për këtë post, por më pas u tërhoq nga gara.
Kandidatët janë duke përgatitur prezantimin e platformave të tyre përpara anëtarësisë, ndërsa procesi formal i kandidimit dhe miratimit të listës përfundimtare është ende në zhvillim, sipas udhëzimeve të kryesisë qendrore të Partisë Demokratike.
Test për demokracinë e brendshme
Zgjedhjet në Elbasan nuk shihen vetëm si një garë lokale e partisë kryesore të së djathtës, por edhe si një test për demokracinë e brendshme dhe besueshmërinë organizative të PD-së. Rezultati i këtij procesi pritet të ndikojë drejtpërdrejt në performancën dhe organizimin e opozitës në këtë qark, ndërsa vëmendja është përqendruar te transparenca e procesit, administrimi i listës së anëtarësisë dhe barazia mes kandidatëve.
Pasi janë miratuar përfundimisht si kandidatura nga organet qendrore, kandidatët do të përballen me anëtarësinë përmes takimeve dhe prezantimeve publike të programeve të tyre, në një proces që pritet të përcaktojë drejtimin e ri të strukturave të PD në Elbasan dhe më gjerë.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.