Arrestohet në Peqin një 52-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Italia

Një 52-vjeçar i dënuar nga drejtësia italiane për pjesëmarrje në një organizatë kriminale që trafikonte lëndë narkotike është arrestuar nga policia shqiptare në qytetin e Peqinit.

Operacioni policor i koduar “Operacionalja 65”, i zhvilluar nga strukturat e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale pranë DPPSh, çoi në lokalizimin dhe ndalimin e shtetasit Luan Gripshi, i njohur edhe me emrin Rudin Gripshi, banues në Peqin.

Sipas njoftimit zyrtar, ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi ishte dënuar nga Gjykata e Apelit në Venecia, më datë 3 prill 2023, me 4 vjet, 10 muaj e 14 ditë burgim. Akuza ndaj tij lidhet me përfshirjen në një organizatë kriminale që merrej me trafikun e drogës.

Arrestimi i tij është bërë me qëllim ekstradimin drejt Italisë. Ndërkohë, Interpol Tirana po vijon procedurat në bashkëpunim me autoritetet italiane për realizimin e këtij ekstradimi.