Arrestohet autori i disa vjedhjeve dhe grabitjeve në Elbasan.

Policia e Elbasanit në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, pasi kanë marrë një njoftim për një vjedhje në ambientet e Spitalit Rajonal, kanë organizuar një operacion për me qëllim gjetjen dhe arrestimin e autorit. Si rezultat, u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit M. V., 27 vjeç, banues në Elbasan, për veprën penale “Vjedhja”.

Njoftimi i plotë i policisë:

Elbasan/Finalizohet operacioni policor i koduar “The end”, për zbardhjen e 5 raste vjedhjesh. Vodhi në ambientet e spitalit të Elbasanit, arrestohet në flagrancë 27-vjeçari. I arrestuari, autor edhe i disa vjedhjeve të tjera, të ndodhura në qytetin e Elbasanit, gjatë këtij viti.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, menjëherë pas marrjes së njoftimit për një vjedhje në ambientet e spitalit “Xhaferr Kongoli”, kanë organizuar punën në kuadër të operacionit policor të koduar “The end”, me qëllim kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorit të këtij rasti.

Si rezultat, u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit M. V., 27 vjeç, banues në Elbasan, për veprën penale “Vjedhja”.

Nga veprimet hetimore, rezultoi se ky shtetas është autor edhe i një sërë vjedhjesh të tjera, konkretisht:

-Më datë 23.03.2022, në rrugën “Rinia”, i ka vjedhur çantën e dorës, një shtetaseje;

-Më datë 21.05.2022, ka vjedhur 2000 euro, në banesën e një shtetasi;

-Më  datë 08.08.2022, në lagjen “Luigj Gurakuqi”, gjatë natës, ka vjedhur me thyerje, në banesën e një shtetaseje, ku ka marrë sende me vlerë 100 000 lekë të rinj;

-Më datë 14.09.2022, në lagjen “Vullnetari”, ka thyer xhamin e një automjeti dhe ka marrë në brendësi të tij, 10 000 lekë të rinj.

Vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen e vjedhjeve të tjera, të kryera nga ky shtetas.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme.