I shumëkërkuari Nuredin Dumani u arrestua mbrëmjen e djeshme pas një operacioni nga forcat RENEA, vetëm dy orë pas atentatit ndaj Talo Çelës.
Ai u kap në një apartament në Fier dhe më pas u dërgua në spital për ndihmë mjekësore, pas plagëve të marra në përplasjen me armë të ndodhur në Papër të Elbasanit, ku dyshohet se tentoi të vriste “mikun e vjetër”.
Konferenca e jashtëzakonshme e Policisë:
Drejtori i Policisë së Shtetit, Gledis Nano doli në konferencë në orën 1:00 të mëngjesit, ku dha detaje nga atentati i ndodhur pasditen e së martës në Elbasan.
Pamjet e publikuara nga policia nga momenti i arrestimit të Dumanit, e tregojnë atë gjysmë të zhveshur, me pranga në duar dhe të fashuar në shpinë, ku mori një plumb gjatë shkëmbimit të zjarrit me Çelën.
Më tej ai shtoi se gjatë operacionit bashkë me shtetasin Nuredin Dumani u bë e mundur kapja dhe arrestimi i H.H, 40 vjeç, banues në lagjen Apollonia, Fier. 40 vjeçari u kap i armatosur me një armë zjarri pistoletë në brez dhe një pistoletë në automjet.
Nano tha se gjatë operacionin “Arratia” u kapën edhe dy persona të tjerë, për të cilët Grupi Hetimor po punon për sqarimin e pozitës së tyre, për lidhjet me personin e shumë kërkuar Nuredin Dumani.
“Nuredin Dumani në momentin e kapjes ishte i plagosur me armë zjarri. Gjendja e tij sipas mjekëve është e stabilizuar dhe pas ndihmës së parë ne qytetin e Fierit është transportuar për në spitalin e Traumës në Tiranë për ndihmë mjekësore. Deri tani janë kapur e sekuestruar dy armë zjarri pistoletë dhe dy armë zjarri kallashnikov, (një kallashnikov është sekuestruar nga Policia e Elbasanit)“, tha Nano në konferencë.
Si ndodhi atentatiAtentati ndaj Talo Çelës ndodhi në aksin rrugor Elbasan-Peqin pasditen e djeshme.
Fillimisht u njoftua nga policia për BMWnë që u qëllua me breshëri dhe që ishte më targa të vjedhura në qytetin e Durrësit që në prill të vitit 2021. Drejtuesi që besohet se ishte Talo Çela, braktisi makinën dhe u largua nga vendi i ngjarjes menjëherë pas të shtënave. Gjatë kontrollit policia gjeti një kallashnikov edhe një bidon me 5 litra benzinë.
Aktualisht, shërbimet e Policisë po krehin zonën me qëllim kapjen e personave të përshirë.
Kush është Nuredin Dumani?
37-vjeçari është emër i njohur në botën e krimit. Ai është autor i dyshuar për vrasjen e vëllezërve Haxhia në Durrës, kjo pas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Klevis Alla i cili tha se vëllezërit u vranë pasi akuzoheshin se nuk i kishin kthyer një shumë të konsiderueshme parash që kishin lënë në servisin e tyre.
Dumani mësohet se ka lidhje shoqërore me Klevis Kapllanin, i ekzekutuar me 14 plumba më 15 shtator. Ai akuzohet edhe si organizator i vrasjes së Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdylit, në 2 mars të vitit 2020.
Për vrasjen e katër të rinjve në Durrës, Dumani ka bashkëpunuar së bashku me Talo Çelën.
Gjithashtu Dumani ka qenë i lidhur me një rrjet prostitucioni që doli në dritë pas denoncimit të një vajze nga Durrësi të trafikuar në Francë. Sipas dëshmisë së saj, Dumani ishte tutori që i mashtronte vajzat duke u propozuar për martesë dhe në rast refuzimi i kërcënonte se do t’u vriste familjarët.
Top channel