Ambasadori i Austrisë viziton Bashkinë e Elbasanit, bashkëpunime në fushën e arsimit

Ambasadori i Austrisë Dr. Christian Steiner vizitoi Bashkinë e Elbasanit me qëllim rritjen e bashkëpunimit për projekte të ndryshme. Diplomati austriak ka vlerësuar Elbasanin si një model të zhvillimit në fushën e arsimit dhe e vendosi theksin tek bashkëpunimi i mëtejshëm i këtyre i vlerave, si edhe implementimi i projekteve të reja për zhvillimin e këtij sektori, por jo vetëm.

Në fjalën e tij kryebashkiaku Llatja falenderoi Dr. Christian Steiner për vizitën e tij dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Austria ka treguar ndër vite për Elbasanin, sidomos në fushën e arsimit. “Biseduam me z. ambasador kryesisht për tematikat mbi arsimin, tema të cilat neve na bashkojnë, për kulturën, arsimin dhe zhvillimin e projekteve që bashkia ka në plan. Aktualisht bashkia Elbasan ka si qëllim ngritjen e muzeut të arsimit dhe për këtë u kërkua edhe mbështetja e ambasadorit, për të vazhduar traditën e mirë që ka pasur Austria në Elbasan, me hapjen e shkollave në disa zona të Elbasanit. Këtë bashkëpunim ndër vite ne do e kemi edhe në hapjen e muzeut të arsimit”- u shpreh ndër të tjera z. Llatja.

Ambasadori Steiner gjithashtu u shpreh i lumtur për bashkëpunimin ndër vite të dy institucioneve dhe premtoi mbështetje të vazhdueshme nga institucioni i tij, sidomos në fushën e arsimit ku ka edhe projekte të ndryshme si për shkollat e përgjithshme ashtu edhe ato profesionale. “Jam i lumtur që jam sot këtu, në të gjithë vendin ka shumë shkolla austriake, është interesante të shikosh ndikimin austro-hungarez në Elbasan, siç është edhe mbështetja për hapjen e parë të shkollës në Labinot, që në 1917-ën me ndihmën e austro-hungarezëve. Ushtria austro-hungareze ka ndihmuar edhe në zhvillimin e infrastrukturës dhe strukturen administrative ç’ka ka bërë që ende edhe sot të kemi një marrëdhënie të shkëlqyer me vendin tuaj. Ne shpresojmë që të bëjmë edhe më shumë projekte jo vetëm në arsim por edhe në fusha të tjera”- u shpreh ambasadori.