3 shfaqje janë anuluar nga Teatri Kombëtar për shkak se aktorët janë infektuar me COVID por edhe sepse njëri prej tyre është aksidentuar. Bëhet fjalë për shfaqjet “Ferma e Kafshëve”, “Edmond” dhe shfaqjes së Teatrit “Skampa”, “Një Madam nga Argjentina”.
Janë këto tri shfaqjet e anuluara nga Teatri kombëtar pasi ka shitur biletat, duke u detyruar siç thotë të kthejë paratë qytetarëve. Ky njoftim nuk është pritur mirë nga publiku të cilët kanë shprehur revoltën e tyre me komente në njoftimet e TK. Kritikave të publikut, iu përgjigjet Teatri dhe drejtori i Teatrit Hervin Çuli duke thënë se nuk ka aktorë dublantë.
“Vazhdon …..u bë si barcaletë…dublantet ku i keni???? Teatri Kombetar, përfaqëson një shtet nuk është teater privat”, thotë një qytetar.
“A e shikon që është shfaqje e teatrit Skampa apo nuk shikon nga sytë???Edhe shfaqjen e teatrit Elbasanit t’a dubloje TK?!!! Ndërkohe kupton ti çdo të thotë dublant dhe kur aplikohet dublanti?Dublant e nderuar përdorin vendet e lindjes, në teatro me repertor shume vjeçar dhe me stafe aktorësh rezidentë 80 – 100 aktore, dhe jo si TK qe ka 28 aktore dhe kalendar të kufizuar.Po ti nuk e kupton dot kete, se ke nevojë që komplekset e tua ti të mos realizimit personal ti vjellesh në këtë faqe sa herë të jepet mundësia”, shkruan Hervin Çuli, drejtor i Teatrit Kombëtar në përgjigjen e tij.
“Teatri Kombëtar e ndjen për detyrë të sqarojë gjithë publikun se sistemi i dublantit është një praktikë e cila zhvillohet në teatrot e vendeve të lindjes me trupa shumë të mëdha permanente (80-100 aktorë) në organikën e tyre. Këtë praktikë e ka përdorur Teatri Popullor i para vitetve ’90, kur trupa e tij artistike përbëhej nga rreth 70 aktorë. Arsyet e përdorimit të sistemit të dublimit janë: repertor i ngjeshur dhe afatgjatë; turnetë e vazhdueshme të institucionit; dhe nxitja e konkurrencës për aktorët me qëllim një performancë sa më të mirë brenda roleve”, thuhet në njoftimin e Teatrit.