Kantieri i aksit Elbasan-Qafë Thanë, pjesë e Korridorit VIII, do të transformohet rrënjësisht, duke u zgjeruar e përmirësuar parametrat, për të garantuar që qarkullimi i automjeteve të vijojë pa asnjë problematikë.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ndoqi sot nga afër punimet në këtë aks rrugor.
Balluku u ndal në planin për ndërtimin e Korridorit të VIII.
“Ne kemi një plan të madh për sa i përket rrjetit të Korridorit të VIII, si me hekurudhën ashtu dhe me infrastrukturën rrugore. Duhet pasur parasysh se është një nga korridoret më të rëndësishme dhe tashmë i njohur edhe nga NET COR-e i BE-së në fillim të muajit nëntor”, tha Balluku.
Balluku informoi se tashmë është nënshkruar edhe një memorandum me Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë për të bashkërenduar përpjekjet për të gjetur financimin.
“Duke u bërë Korridori i VIII, pjesë e NET CORe të BE-së kemi mundësi përfitojmë nga grantet e BE-së për infrastrukturën sidomos atë hekurudhore”, tha Balluku.
Ky segment, theksoi Balluku është edhe segmenti i parë i Korridorit.
Balluku bëri të ditur se, “rruga është e kategorisë B me 2 korsi nga secili krah me ndarëse korsie dhe të gjithë parametrat rrugore”.
Kreu i ARRSH-së, Evis Berberi bëri të ditur se sot punimet po vijojnë në nyjen dalëse të Xibrakës.
“Punimet nuk përfshijnë vetëm zgjerimin e rrugës ekzistuese, por edhe daljen në një aks të ri të rrugës për shkak të rritjes së fluksit, ndërsa parashikohet edhe përmirësimi i parametrave të rrugës dhe i shpejtësisë së lëvizjes”, tha Berberi.
Njëkohësisht kreu i ARRSH-së u shpreh se krahas rrugës po investohet edhe për mbrojtjen nga përmbytjet, pasi kantieri është në afërsi të shtratit të lumit Shkumbin.
Këtu zv/kryeministrja Balluku informoi se asnjëherë nuk ka pasur investim në këtë shtrat lumi për depozitimet
Balluku bëri të ditur se, “ka filluar puna për kryerjen e studimit të ndërtimit edhe të bajpasit të Elbasanit, ndërsa do të nisë puna menjëherë edhe për sigurimin e fondeve”.