Agjencia telegrafike turke Anadolu Agency (AA) i ka kushtuar një shkrim Kalasë së Elbasanit ku vë në dukje se brenda mureve të kalasë ndodhen disa objekte të rëndësishme kulti, por edhe monumente të tjera që tregojnë historinë e pasur të këtij qyteti, si kulla e sahatit, Xhamia Mbret, Kisha e Shën Mërisë dhe hamami i vjetër.
Shkrimi i plotë:
Pjesë e trashëgimisë historike dhe kulturore të qytetit të Elbasanit është edhe Kalaja e Elbasanit, e cila në brendësi të saj ka disa monumente dhe objekte historike që tërheqin turistë të shumtë, shkruan
Kalaja e Elbasanit me një histori rreth 2 mijë vjeçare e cila është kalaja më e madhe fushore në territorin e Shqipërisë shtrihet në një sipërfaqe disa hektarë në qendër të Elbasanit, qytet në Shqipërinë qendrore.
Kjo kala fillimet i ka në përudhën Romake, nga fundi i shekullit të 3-të të erës sonë e cila u ndërtua me formë katrore, ndërsa pas dëmtimeve të saj është rindërtuar gjatë periudhës Osmane nga sulltan Mehmeti II.
Qëllimi i ndërtimit të kështjellës që në fillim ishte që të vendosej një garnizon ushtarak brenda saj, por më pas kalaja është populluar, ku edhe sot brenda mureve të saj ndodhet një nga lagjet e rëndësishme të qytetit.
Brenda mureve të kalasë ndodhen disa objekte të rëndësishme kulti, por edhe monumente të tjera kulture që tregojnë historinë e pasur të këtij qyteti, si kulla e sahatit, Xhamia Mbret, Kisha e Shën Mërisë dhe hamami i vjetër, duke tërhequr vizitorë të shumtë nëpër rrugët e kalldrëmta të saj.
Kulla e Sahatit, e cila u ngrit në vitin 1899 me një lartësi prej 30 metra është sot një nga monumentet e njohura të këtij qyteti, që çdo vizitor përballet me të.
Xhamia Mbret është një nga xhamitë më të hershme të Shqipërisë, e cila daton në vitin 1492 e ndërtuar në kohën e Sulltan Bajazitit të II-të .
Ndërsa kisha është ndërtuar në vitin 1833 nga besimtarët e krishterë, mbi themelet e një kishe të vjetër.
Këtë mozaik monumentesh kulturore brenda mureve të kalasë e plotësojnë edhe shtëpitë e vjetra karakteristike, që disa prej tyre janë me statusin monumente kulture, ndërsa krijojnë lagjen kala, së bashku me ndërtimet e tjera.
Kalaja e Elbasanit me monumentet e tjera që janë brenda saj është shndërruar në një atraksion turistik duke tërhequr vizitorë nga e gjithë bota.