AF Elbasani U-13 shpallet kampion/ Llatja: Mbështetja për sportin, maksimale

Akademia e Futbollit Elbasani është shpallur kampione e Ligës Rajonale të Elbasanit për grupmoshën U-13. Në një kampionat të gjatë dhe të rivalizuar, djemtë që stërviten nga trajneri Albano Dushku, ia dolën të sjellin trofeun në skuadrën e tyre. Nën një atmosferë festive, i pranishëm ishte edhe kryebashkiaku Gledian Llatja, i cili i dorëzoi edhe trofeun ekipit kampion. Nga ana e bashkisë, mbështetja ndaj sportit nuk ka munguar asnjëherë dhe e tillë do të jetë edhe në vazhdim.

Llatja u shpreh i kënaqur për këtë fitore të të rinjve dhe tha se “jemi shpresëplotë që e ardhmja e Ekipit të Elbasanit është e sigurtë. Eshtë një nismë e nisur një vit më parë ku shumë skepticistë ishin të cuditur me këtë vendimarrje, dhe ecurinë që do kishte Akademia e Futbollit të Elbasanit. Sot, mbas një viti të gjitha ekipet, të gjitha skuadrat dolën kampion në javën e parë, ndërsa shpresojmë që javën tjetër të kemi fitues Ekipin U – 11. Tashmë kemi vënë gurët e themelit, janë konsoliduar ato dhe po ngrihet një Akademi Futbolli e shëndeshme për Elbasanin”.

Jo çdo gjë ka ardhur rastësisht, por në sajë të përkushtimit dhe seriozitetit të trajnerit dhe vetë klubit, ia dolën të shpallen kampionë për këtë grupmoshë.

Ata që premtojnë shumë për të ardhmen janë vetë sportistët, të cilët nuk i fshehin emocionet për këtë trofe të fituar.

Shumë shpejt Akademia e Futbollit Elbasani po jep frytet e veta, ku përpos arritjes së objektivave me ekipin e të rriturve, talentet e vegjël po japin shpresë për të ardhmen.