Debutimi i Insa Bojes për Elbasanin kundër Teutës ishte një moment që nuk harrohet lehtë. I futur si zëvendësues, ai luajti vetëm pak minuta, por arriti të shënojë dy gola që përmbysën rezultatin dhe ndryshuan fatin e ndeshjes. Dhe pikërisht këtu lind pyetja: a kemi të bëjmë me yllin e ri që skuadra kishte nevojë?
Jo gjithmonë duhet një ndeshje e plotë për të kuptuar potencialin e një lojtari. Ndonjëherë mjafton një pasim i saktë, një lëvizje inteligjente dhe një gol për të parë talentin që shfaqet natyrshëm. Boje e ka treguar këtë menjëherë. Fantazia e tij, vizioni në mesfushë dhe aftësia për të ndikuar në momentet kyçe e bëjnë të duket si lojtar që nuk ka nevojë për kohë për t’u adaptuar.

Nuk është rastësi që ai është pjesë e kampionëve të Afrikës përmes përfaqësueses së Senegalit. Aftësia e tij për të vendosur ritmin, për të gjetur hapësirat dhe për të shënuar gola kaq shpejt e bën të duket si lojtar që mund të ndryshojë ndeshjet dhe të japë frymë të re skuadrës.
Debutimi i tij ka fituar menjëherë zemrat e tifozëve, dhe përzgjedhja e tij në formacionin e javës nuk është rastësi. Dhe ndoshta kjo është një nga ato rrallë rastet ku merkatoja e janarit rezulton efikase: një lojtar që vjen dhe menjëherë bën diferencën, duke sjellë energji, kreativitet dhe gola që i mungonin ekipit.
A është ky fillimi i një karriere të madhe në Superiore? Vetëm koha do ta tregojë. Por një gjë është e qartë: kur një lojtar tregon kaq shumë në pak minuta, është e pamundur të mos mendosh se Elbasani mund të ketë gjetur një talent të vërtetë, një element që mund të bëhet protagonist i skuadrës për sezonet e ardhshme.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.