Mësimi online vijon, por janë të shumtë skeptikët e tij. Besa Shahini, ministrja e Arsimit ishte e ftuar në emisionin “E diela shqiptare”, ku zbuloi se aktualisht po mendon lejimin e përsëritjes së vitit për disa nxënës, për shkak të pandemisë. Ministrja theksoi se kjo nuk do të funksionojë për të gjithë pasi nuk mund të kthehet mbrapa gjithë gjenerata.
“Nuk do të kthehemi në shkollë nëse nuk kemi sigurinë që ka kaluar epidemia. Ne kthehemi në shkollë vetëm nëse arrijmë të sigurojmë kushtet që nuk përhapet virusi më tej. Këtë vendim do e marrë Ministria e Shëndetësisë dhe ekspertët, jo unë sepse nuk jam e fushës. Kur të na thonë ata që mund të kthehemi, do të kthehemi. Për ne si ministri e Arsimit e rëndësishme është të mos humbasim vitin shkollor.
Nuk është e drejtë ndaj nxënësve që ta përsërisin vitin shkollor. Marr me qindra mesazhe dhe disa prindër kanë kërkuar që të përsëritet viti në mënyrë që të mos mbesin mbrapa me gjithë mësimet që duheshin mbyllur këtë vit. Po e konsideroj që të lejojmë nxënës individual ta përsërisin vitin nëse duan. Por nuk mund të kthejmë mbrapa gjithë gjeneratën sepse nuk është drejtë ndaj atyre që kanë punuar gjatë.
Sidomos ata që janë në klasë të 12 dhe kanë bërë planë për t’u regjistruar në universitet apo për të gjetur një vend pune, si 18 vjeçarë që do jenë. Qëllimi për ne është që ta mbyllim vitin shkollor në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha ministrja.