Muaji shkurt u mbyll me numrin më të lartë të humbjeve te jeteve nga Covid-19 në vendin tonë dhe po me shifra të larta ka nisur edhe marsi. Rreth 23 për qind e viktimave të shënuara nga koronavirusi që prej fillimit të pandemisë u regjistruan muajin e dytë të vitit. Në një kohë kur situata nga virusi mbetet ende e rëndë, mjeku infeksionist Pëllumb Pipero, është i mendimit se kjo situatë vjen pasi shumë njerëz po ekspozohen më gjatë ndaj virusit, ndërsa shumë të tjerë po hezitojnë të shkojnë në kohën e duhur në spital.
“Rrinë me komplikacione në shtëpi. E kam thënë disa herë që ka një lloj skepticizmi për të ardhur në spital. Koha e ekspozimit ndaj virusit ka qenë më e madhe”, – tha Pipero në një lidhje me ABC News.
Sipas tij, virusi është bërë më agresiv dhe kjo lidhet me shenjat që po shfaqin shumë prej personave të infektuar: “Po konstatojmë raste me tre-katër ditë klinikë dhe prekje shumë të gjerë të mushkërive. Kjo prekje ka avancuar në mënyrë të heshtur dhe më pak klinikë”.
Mjeku tha se pret një përmirësim të shpejtë të situatës së koronavirusit në Shqipëri, madje shprehet për një rritje të numrit të të infektuarve gjysmën e parë të marsit. “Besoj se deri nga gjysma e marsit numri i rasteve do të jetë në këto nivele, edhe më i lartë. Besoj nga prilli, rënia do të jetë më e qëndrueshme, për shkak se me rritjen e temperaturave, ajrosen më shumë edhe lokalet”.
Po çfarë do të ndodhë me masat shtrënguese? Sa u përket kufizimeve të lëvizjes apo orës policore, siç jemi mësuar ta quajmë tashmë, Pipero mendon se fillimisht ka vend për zbatimin e atyre ekzistuese. Ai bën thirrje edhe një herë tjetër për shmangien e vendeve me shumë njerëz dhe përdorimin e maskës.