A do të kemi hapje totale pas uljes së infektimeve? Flet Manastirliu dhe tregon çfarë po bën Komiteti Teknik

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu është shprehur ditën e sotme se Ekspertët e Komitetit Teknik po vlerësojnë masat pas përmirësimit të situatës. “Jemi të vendosur të intensifikojmë vaksinimin anti-Covid. Tashmë kemi përgjysmim të incidencës dyjavore dhe ka rënie të ndjeshme të shtrimeve në spitale. Ekspertët e Komiteti janë duke vlerësuar masat, por vendimet do të merren më bazë të vlerësimit të situatës epidemiologjike.

Çlirimi i jetës dinamike duhet të vijojë me respektimin e distancimit fizik dhe mbajtjen e maskave. Ne po bëjmë përpjekje për të rritur numrin e vaksinimeve.Presim në muajt në vijim 25 mijë doza të tjera për të plotësuar kontratën me Sputnik.

Ne do të vijojmë të rrisim disponibilitetin e vaksinave dhe nuk do të ndalemi për t’i siguruar çdo qytetari vaksinimin kundër koronavirusit”, tha Manastirliu.

E pyetur nga deputeti Adriatik Alimadhi nëse ka ndryshim financiar kontrata e lidhur nga një shtet në shtetin tjetër, Manastirliu theksoi se për shkak të interesave të distributorëve nuk mund të bëhen publike.

“Të gjitha kontratat e lidhura deri më sot janë pjesë e interesave të distributorëve dhe nuk mund të thuhen në publik, por ajo që siguroj është se çdo vendim është marrë duke respektuar ligjin”, u shpreh ministrja e Shëndetësisë.