A do shmanget ndërhyrja e krimit në zgjedhje në Elbasan? Gazetari zbulon strategjinë

Gazetari i Euronews Albania, Ardit Hoxha thotë se Elbasani është ndër bashkitë më të mëdha e të rëndësishme në vend, por edhe  ndër më problematikët, sa i takon ndërhyrjes së krimit në zgjedhje.

Hoxha u shpreh se pikërisht për këtë arsye, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka kërkuar që në Elbasan të zbatohet votimi dhe numërimi elektronik për zgjedhjet lokale të 14 majit.

Sipas tij, me këtë pritet që të paktën të mos ketë kontenstime në lidhje me procesin e numërimit.

 “Elbasani, pikë së pari klasifikohet tek ato 5 apo 6 bashkitë më të mëdha, më të rëndësishme. Por edhe më problematike, pasi të paktën në dy proceset e fundit ka pasur një shtim të tensioneve dhe të përplasjeve mes dy palëve. Në 2021 ne pamë disa skena në Elbasan që ishin të papërsëritshme dhe nuk u pa në asnjë bashki tjetër. Pamë një përplasje mes njërit për kandidatëve për deputeti, Luçiano Boçi dhe një biznesmeni që akuzohej nga opozita se mbështeste apo blinte vota për PS-në.

Nga ana tjetër, pamë një ngjarje të rëndë ku humbi jetën një person për shkak të përplasjeve të dy grupimeve për zgjedhjet. Pasi përfundoi procesi i numërimit të votave, nuk u ndalën akuzat nga opozita për blerje të votave. Me kalimin në votimin dhe numërimin elektronik, të paktën, një nga këto problematike pritet të zgjidhet, numërimi elektrnonik. Do të jetë kjo një nga sfidat më të rëndësishme për KQZ-në “, theksoi ai.