Nis puna për rijetëzimin e lagjes Kala në Elbasan. Bashkia: Investimi do të ndikojë në zhvillimin ekonomik të qytetit

Kur kanë kaluar vetëm pak ditë nga firmosja e memorandumit me Fondin shqiptaro-amerikan të Zhvillimit, në Elbasan ka nisur puna për zbatimin e projektit që do të rijetëzojë lagjen Kala.

“ADF-ja ka filluar hartimin e dokumentacionit për fazën e parë të këtij projekti i cili përfshin analizën e të gjitha të dhënave të lagjes Kala, krijimin e konceptit të zhvillimit të të gjithë kësaj zone, dhe njëkohësisht projektin teknik të zbatimit brenda hapësirave kryesore të lagjes Kala”, tha Aulona Bylykbashi.  

Për autoritetet, investimi do të japë një tjetër zhvillim ekonomik qytetit dhe do të rrisë potencial turistik në një kohë kur synohet që ky qytet të presë 1 milionë turistë në vit.

“Do të sjellë si model të veçantë të zhvillimit dhe organizimit, që do të ketë një ndikim padyshim të madh në zhvillimin në ekonomi, në hapjen e mundësive për ofertat turistike dhe në shndërrimin më në fund të Elbasanit në një vend turistik në të cilën jo vetëm turistët, jo vetëm kalojnë por edhe qëndrojnë”, tha Bylykbashi.   

Investimi mirëpritet edhe nga banorët e lagjes Kala të cilët thonë se interesi nga turistët është i lartë.

“Kjo është folur prej vitesh, por shpresojmë që këtë radhë të arrihet të realizohet për arsye se ka nevojë lagjia Kala”, thotë një qytetar.

“Do hidhen lekë të cilat Kalaja i ka pas merituar me kohë dhe këtu ne na vijnë turistë dhe shikojnë një kala të vjetër por jo të mirëmbajtur”, tha një tjetër qytetar. 

Kalaja e Elbasanit nisi të ndërtohet me urdhër të Perandorit romak Dioklician në vitin 284 të erës sonë. Ky objekt mjaft i rëndësishëm jo vetëm në Shqipëri por edhe në Ballkan u rindërtua nga Sultan Mehmeti 2 në vitin 1466.

Klan News